Secondary Adv

BSH: Ne shkurt u rrit lehte kredia per ekononine, por tkurrja vjetore arriti ne 2.2 per qind

Huaja për ekonominë ka shënuar një rritje të lehtë në muajin shkurt, pas rënies që pësoi në janar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë në fund të shkurtit arriti në 544.4 miliardë lekë, me një rritje prej 0.2% në krahasim me muajin e mëparshëm.


Rritje kanë shënuar të gjitha kategoritë, si huaja për korporatat publike, për bizneset private si dhe për individët. Rritjen më të lartë e ka pasur kredia për bizneset, me rreth 431 milionë lekë. Edhe sipas llojit të monedhës, huadhënia për ekonominë është zgjeruar si në lekë ashtu dhe në valutë.
Me bazë vjetore (shkurt 2016/shkurt 2015), huadhënia për ekonominë ka shënuar një rënie prej -2.2%, nga +2.95% që kishte qenë rritja në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


2015-a dhe muajt e parë të 2016-s po rezultojnë të dobët në kreditimin e ekonomisë për dy arsye. Së pari në këtë shifër ka ndikuar fshirja e kredive të humbura dhe së dyti, sipas bankierëve kërkesa për hua, sidomos nga bizneset e mëdha mbetet shumë e dobët.
Pak ditë më parë, në një takim me drejtues të sistemit bankar, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, i “kërcënoi” bankat që të rrisin huadhënien për ekonominë.


Banka e Shqipërisë ka ulur 2 herë normën bazë të interesit gjatë vitit të kaluar (14 herë gjithsej duke filluar nga shtatori 2011), duke e çuar në minimum rekorde historike prej 1.75%, por ky lehtësim nuk ka dhënë efekt në nxitjen e kreditimit, pavarësisht se interesat e kredisë janë ulur ndjeshëm. Faktorë të tjerë si kërkesa e dobët, mjedisi i pasigurt, frenimi i investimeve, kujdesi i shtuar i bankave po ndikojnë në këtë ecuri.
Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka në plan të shkojë drejt politikave jo konvencionale të lehtësimit sasior për të nxitur kreditimin, në një skemë që po diskutohet të përfshijë blerjen e kredive të këqija nga ana e bankës, apo krijimin e skemave mbështetëse të garancisë.


Më të lexuarat