Secondary Adv

Shqiperia dhe Kosova nenshkruajne marrevshjen per nje treg te perbashket te energjise elektrike

Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshjen për themelimin e tregut të përbashkët të energjisë mes dy vendeve, si dhe krijimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike (APE) të tregut “të ditës në avancë”.


Marrëveshja u bë e ditur dje, në deklaratën e përbashkët të firmosur nga ministri i Energjisë dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri për Zhvillim Ekonomik të Republikës së Kosovës, Blerand Stavileci. Themelimi i bursës paraqet fazën e parë të zhvillimit të tregut. Bursa e energjisë do të mundësojë çmime transparente në tregun e “ditës në avancë”, që do të inkurajojë pjesëmarrjen në tregtimin e energjisë elektrike në të dyja vendet, Shqipëri dhe Kosovë.


“Pjesëmarrësit e tregut të të dyja vendeve inkurajohen të tregtojnë energjinë nëpërmjet bursës së energjisë. Të dy OST-të do të bashkëpunojnë në krijimin dhe operimin e bursës shqiptare të energjisë në përputhje me direktivat e BE-së dhe rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE), si dhe do të lehtësojnë integrimin e bursës shqiptare të energjisë me bursat e energjisë në vendet fqinje, duke i vënë në dispozicion kapacitetet e interkonjeksionit”, njoftojnë dy ministrat. Palët do të bashkëpunojnë në krijimin e një zone të vetme tregtare, si dhe do të punojnë për të optimizuar kapacitetet transmetuese.


Lidhur me hapat e tjerë, theksohet se “grupet e punës, nën koordinimin e Komitetit Drejtues, do të punojnë së bashku në identifikimin dhe përcaktimin e fazave të mëtejshme dhe afateve përkatëse në drejtim të integrimit të plotë të tregut të energjisë elektrike sipas një udhërrëfyesi të dakorduar”. Pas përfundimit të linjës 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, palët shprehin angazhim për projekte të tjera energjetike. Komiteti Drejtues do të vlerësojë përfitimet e krijimit të një operatori të përbashkët të sistemit, në mënyrë që të përcaktohen hapat e mëtejshëm. Po ashtu, palët u pajtuan që në kuadër të tregut të përbashkët, të shikohet mundësia për ngritjen e kapaciteteve të reja gjeneruese me investime të përbashkëta, me synim optimizimin e burimeve energjetike.


“Do të synojmë bërjen e studimeve të fizibilitetit për krijimin e kapaciteteve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike. Do të thotë që në kuadrin e një tregu të përbashkët, kemi mundësi që Shqipëria dhe Kosova të investojnë në ndonjë termocentral të përbashkët, kuptohet brenda këtyre politikave të harmonizuara të një tregu të përbashkët. Unë them se kjo është një mundësi e mirë për të harmonizuar burimet që ka Kosova dhe burimet që ka Shqipëria, pra hidron tonë dhe linjitin e Kosovës”, u shpreh ministri Gjiknuri. Nga ana tjetër, ai tha se së bashku me Kosovën është aplikuar në Bashkimin Europian për financim për studimin e fizibilitetit për gazsjellësin Shqipëri-Kosovë, pra që do të jetë një zgjatim i TAP-it.


Ministri Stavileci deklaroi se kemi angazhime që për nga qëllimi janë të njëjta, sepse na shpien në të njëjtin drejtim. “Ne në projektet tona për ndërtimin dhe rigjenerimin e kapaciteteve ekzistuese, ndërsa ju më shumë te reforma e tregut, liberalizimi dhe diversifikimi i burimeve. Mendoj për projektet e përbashkëta, mundësia e një projekti të përbashkët, të cilit do t’i paraprinte një studim parafizibiliteti edhe me asistencën e donatorëve, kryesisht të USAID-it, që është e angazhuar shumë në të dyja vendet, sidomos tek ideja e tregut të përbashkët”, theksoi Stavileci.

 

Marrëveshja e mirëkuptimit e nënshkruar më 29 mars 2014 mbi themelimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri, si dhe deklarata e përbashkët e vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6) në kuadër të procesit të Berlinit, mbetet rruga më e mirë për të ecur përpara, për të dyja vendet, për të zhvilluar një treg konkurrues dhe eficient të energjisë elektrike, për t’iu shërbyer konsumatorëve në të dyja shtetet. Një nga nismat rajonale, ngritja e zyrës së alokimit të kapaciteteve të interkonjeksionit mes vendeve të Ballkanit, ka përfshirë si vend themelues edhe Kosovën, por Serbia ka kundërshtuar duke mos e njohur Kosovën si shtet.


Më të lexuarat