Secondary Adv

Anulohet mbledhja mes dy qeverive, Rama: Kurti refuzoi takimin per krizen ne veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar një takim më të ngushtë me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës.

 

Për këtë arsye, qeveria e Shqipërisë ka marrë vendimin që të mos bëhet nesër pjesë e mbledhjes mes dy qeverive që ishte parashikuar të mbahej ditën e nesërme në Gjakovë.

 

Kreu i qeverisë tha se ky nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme, por është koha që Kurti të reflektojë për rrugën që po ndjek në veri që ka sjellë edhe reagim të ashpër nga ndërkombëtarët.

 

Anulimi i mbledhjes nuk është mbështetur nga ana e kryeministrit Kurti, i cili ka kërkuar që të vijohet me axhendën.

 

Në një konferencë për shtyp, Rama tha se i ka kërkuar kryeministrit Kurti që nesër të zhvillojnë një takim me ministrat e jashtëm dhe të brendshëm për situatën në veri, por ende nuk dihet nëse ky takim do të mbahet. 

 

“Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.

 

Pasi kam folur me Borrellin, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes për të folur pikërisht për këtë situatë që po e çon në mënyrë dramatike Kosovën me bashkinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme. 

 

Nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme me realitetin që ndodh sot. Shpresoj që mund të takohemi për të ballafaquar opinionet”, tha Rama. 

 

Teksa Rama njoftoi anulimin e mbledhjes, u publikuan edhe sanksionet që Bashkimi Europian ka përgatitur për Kosovën për shkak se Kurti nuk ka reaguar për uljen e tensioneve.

 

Rama tha se ky është një plan shumë i rëndë, por nuk e kishte një përgjigje nëse po shikohet pezullimi i vizave për shqiptarët e Kosovës.

 

Kryeministri tregoi se i ka kërkuar kohë aleatëve ndërkombëtarë që të mos i vendosin sanksionet ndaj Kosovës. Këtë kohë, Rama shpreson që ta shfrytëzojë për t'u ulur në diskutime me Albin Kurtin.

 

“Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, tha Rama.

 

Sipas Ramës, Kosova po futet në një kurs përplasjesh dramatike me ndërkombëtarët, e në këtë pikë ai thekson se Shqipëria s’do bëhet pjesë e këtij absurdi.

 

Edhe nëse ndërkombëtarët do t’i mbyllin derën Kosovës, Rama u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë vëllazërore dhe nuk munnd të shkëputen, por Shqipëria nuk ka shans të ‘zhvendoset nga boshti i bashkisë euroatlantike’.

 

"Ne mendojmë 100% njësoj siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast. Ashtu sikundër ju kam thënë që kur disa prej partnerëve i thoshin Albinit dhe autoriteteve të Kosovës mos i mbani zgjedhjet në veri unë isha 100% me Albinin që zgjedhjet duhet të mbaheshin.

 

Sot jo vetëm që nuk ndajmë opinionin për mënyrën si po veprohet por ne si vend jemi 100% kundra mënyrës si po veprohet", theksoi Rama.

 

Kreu i qeverisë komentoi edhe refuzimin që Albin Kurti i bëri draftit për asociacionin të propozuar në Shqipëria. Rama tha se nuk priste që këtë propozim ta pranonte Vuçiç, por të paktën ishte besimplotë që Kurti sëpaku ta lexonte.

 

Për këtë draft, që është hartuar nga ekspertë amerikanë, Rama tha se vendet e BE po thonë fjalët më të mira. Ndër të tjera, ai shtoi se as Kurti dhe as Vuçiç nuk janë të interesuar për krijimin e asociacionit në veri.

 

“Mimimalisht Kosova thotë do e shohim, ca problemi ka, merre shihe njëherë, mund të jetë komplet kot. Po iu siguroj që është top, se kam shkruar unë, e kanë bërë ekspertë të nivelit më të lartë botëror.

 

Ata që e kanë parë në Paris. Berlin, kanë vetëm fjalë të mira”, vijoi Rama. I pyetur se i pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Kurti nuk e pranon takimin ditën e nesërme, kryeministri tha se ditë më të këqija do vijnë për të dhe Kosovën.

 

"Asgjë jeta vazhdon, keq për Kosovën fatkeqësisht, aspak mirë edhe për kryeministrin e Kosovës, se në vend që të jetë në të gjitha instancat e mundshëm për të vazhduar të komunikojë dhe të bëjë marrëdhënie ndërkombëtare për shtetin që përfaqëson s’do ta ketë të mundur", tha Rama. 

 

Ditën e sotme në një konferencë për mediat, Kurti refuzoi draft statutin e propozuar nga qeveria e Shqipërisë. Kurti tha se Rama atë draft duhet t’ia dorëzojë Aleksandër Vuçiçit për shqiptarët që jetojnë Luginën e Preshevës./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat