Secondary Adv

Ish te perndjekurit politik, ndryshon skema e demshperblimit

Ndryshon e gjithë praktika e ndarjes së dëmshpërblimit për ishtë përndjekurit. Duke nisur nga sot, të dënuarit që janë gjallë dhe trashëgimtarët nuk do ta kenë më të nevojshme të rendin në dyert e Ministrisë së Financës për t’u informuar mbi dosjen e tyre apo për të depozituar pa fund dokumente, që përfundonin në kosh si të pavlefshme.


Sistemi elektronik
Në sajë të sistemit të ri që është ngritur, çdo ish-i përndjekur apo familjar i tij mund të marrë informacion në çdo kohë, përmes internetit. Një tjetër risi është fakti që listat e përfituesve do të përzgjidhen apo piketohen nga sistemi dhe do të shpallen tri herë në vit, përkatësisht në datat 20 janar, 20 prill dhe 20 shtator. Në këtë mënyrë, pritet që më 20 prill të publikohen emrat e rinj të përfituesve.Vetëm ata që do të gjejnë emrin në listë duhet të dorëzojnë dokumentet që duhen, të tjerët jo. Kjo bëhet për të shmangur atë që ka ndodhur deri më tani, ku të përndjekurit dorëzonin në mënyrë të vazhdueshme dokumente përgjatë gjithë vitit dhe në fund përfundonin duke mos marrë këstin e dëmshpërblimit.


“Nëse ishtë dënuarit politikë ose trashëgimtarët përfitues deri më tani nuk informoheshin se kur do të paguheshin, tani ata mund të lexojnë listat e gatshme për pagesë, për çdo kategori. Listat e përfituesve sistemi i gjeneron automatikisht sipas kritereve të vendosura në ligj dhe mbi bazë të buxhetit vjetor për dëmshpërblimin, duke përjashtuar çdo mundësi abuzive për pagesa preferenciale. Këto lista do të publikohen çdo 20 janar, 20 prill, 20 shtator të çdo viti. Nëse subjekti përfitues nuk është në listat e gatshme për pagesë, ai nuk ka detyrimin të dërgojë dokumente”, sqarohet nga Ministria e Financës.
Në tabelën përbri janë të listuar emrat e 66 përfituesve të radhës, nga ku 60 marrin këstin e pestë dhe 6 këstin e katërt. Derdhja e parave në bankë në masën respektive për secilin tyre do të bëhet brenda kësaj jave.


Pagesat
Këtë vit, ashtu si edhe një vit më parë, janë vënë në dispozicion 2 miliardë lekë. Listat e përfituesve do të shpallen në bazë të rendit të përcaktuar me vendim qeverie, ku të parët janë të dënuarat gra dhe ata mbi moshë 75 vjeç. Nga ky fond i alokuar pritet të mbyllet kësti i pestë dhe i gjashtë për kategorinë parësore dhe kësti i dytë për trashëgimtarët. Ministria e Financës bën me dije se në momentin që shpallen listat, ata që lexojnë emrin kanë detyrimin për të dorëzuar certifikatë lindjeje dhe numër llogarie.


“Ky dokumentacion ngarkohet në sistem, duke e bërë të mundur disbursimin e pagesës, pa qenë e domosdoshme ridërgimi i dokumenteve dhe duke përjashtuar nga ana tjetër çdo mundësi për mbarimin e vlefshmërisë ligjore të certifikatave”. Vlen të theksohet se krijimi i regjistrit elektronik i shërben jo vetëm përshpejtimit të procedurave, por nga ana tjetër përmirëson cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.“Për të garantuar shpejtësi shërbimi, mirinformim dhe transparencë për shërbimin e ofruar, Ministria e Financave realizoi sistemin e informatizimit të procesit të shpërndarjes së dëmshpërblimit financiar. Ky sistem do të sigurojë marrjen e informacioneve online mbi procedurat, listën e gatshme për pagesa, afatet ligjore dhe kohën e dërgimit të dokumenteve”, qartësohet nga Ministria e Financës.


Më të lexuarat