Secondary Adv

Rritet financimi i koncesionit te laboratorit ne 2022, tejkalohet plani fillestar

Koncesionet me PPP në sektorin e shëndetësisë vit pas viti po rrisin kostot për buxhetin e shtetit dhe veç të tjerash po nxjerrin në pah kontratat e hartuara keq.

 

Ministria e Shëndetësisë raportoi se në vitin 2022 koncesioni i shërbimeve laboratorike, që administrohet nga kompania “Laboratory Network”, u financua me 1,6 miliardë lekë (14 milionë euro) me një rritje 47 për qind në krahasim me financimin e vitit 2021 dhe gati 20 për qind më shumë se programi fillestar.

 

Në fillim të vitit 2022 në projektbuxhet financimi i këtij shërbimi u parashikua me 1,360,130,000 lekë, por me një akt normativ ne mes te vitit qeveria e çoi fondin për PPP-në laboratorit në mbi 1,6 miliardë lekë, shumë e cila u disbursua totalisht.

 

Në vitin 2021 të ardhurat e kompanisë Laboratory Network, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit ishin 1.3 miliardë lekë, ndërsa fitimi para taksave ishte 233 milionë lekë.

 

Norma fitimit për koncesionin e laboratorëve ishte 19% më shumë se, dyfishi i normës së fitimit mesatare në tregun shqiptar, sipas INSTAT. Nga aspekti i fitimeve, kontratat PPP janë ndër bizneset më suksesshme në vendin tonë.

 

Por duke qenë se aktiviteti i tyre bazohet në fondet buxhetore, normat e larta të fitimit tregojnë se qeveria nuk është duke administruar me përgjegjësi taksat e shqiptarëve.

 

Vlera e financimeve për koncesionin e laboratorit vetëm këtë vit u rrit me 2.4 milionë euro. Kostot më të mëdha i ka “Qendra Spitalore Nënë Tereza”.

 

Nga buxheti vjetor i QSUT-së prej mbi 8 miliardë lekë, 764 milionë lekë ose 9% e totalit të financimit shkojnë për koncensionin e laboratorit. Kontrata PPP e laboratorëve nisi në vitin 2019 dhe përfundon në vitin 2028 më një shumë financimi 13 miliardë lekë pa TVSH.

 

Vlera vjetore e financimit është 1.3 miliardë lekë, por duket se gabimet në hartimin e kontratës do të vënë buxhetin e shtetit në vështirësi për financime shtesë. Këtë rrezik e lajmëroi edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

 

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shteti gjetur problematika të shumta në kontratën që parashikon ofrimin e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto totale prej rreth 106 milionë euro, por me gjasë shumë më të lartë në realitet, sipas pagesave të bëra në vitin e dytë të kontratës.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/financimi-i-ppp-se-se-laboratorit-u-rrit-47-me-2022-tejkalohet-plani-fillestar-me-20/


Më të lexuarat