Secondary Adv

Ministria e Transportit dhe Infrastruktures: Ja kriteret e reja per serviset e automjeteve

Në udhëzimin e Transporteve përcaktohen kriteret që nga madhësia e ambientit të servisit, plotësimi i kushteve teknike, licenca e mekanikut dhe ofrimi i certifikatës së garancisë në riparimin e makinës.


Sipas udhëzimit të Transporteve, në çdo servis do të duhet të mbahet një regjistër për automjetet që riparohen dhe të lëshohet një certifikatë garancie për qytetarët. Kurse për licencimin e serviseve të reja apo ato që operojnë pa licencë, përveç plotësimit të kritereve për marrjen e licencës, serviseve do t’u ngurtësohet si garanci shuma 100 mijë lekë.

Ministri i Transporteve, Haxhinasto, informoi dje se udhëzimi hyn në fuqi brenda 10 ditësh dhe ofron garanci për punimet që drejtuesit e automjeteve kryejnë në servise. “Qytetarët do të kenë garanci për punimet e kryera në pikat e autoserviseve. Kjo do të sjellë siguri më të madhe në transportin e tyre, por edhe në mbrojtjen e mjedisit”, theksoi Haxhinasto.


Kriteret teknike
Udhëzimi përcakton që sipërfaqja e servisit për riparimin e makinave nuk mund të jetë më pak se 30 metra katrorë, të jetë ambient i mbyllur me ndriçimin e duhur dhe instalimet e nevojshme elektrike, si dhe të ajrimit. Sipërfaqja e servisit duhet të llogaritet për qëndrimin e një autoveture, ose sipas rastit të një kamioni apo autobusi.


Për sa u përket pajisjeve të detyruara që duhet të disponojnë pronarët e serviseve, do të jetë gropa e riparimit dhe një urë ngritëse hidraulike ose elektrike, kompjuter, dy pajisje për mbrojtjen nga zjarri dhe kutinë e ndihmës të shpejtë.Servisi duhet të ketë një vendqëndrim për mjetet që do të riparohen ku mund të qëndrojë një autoveturë, ose sipas rastit një kamion apo autobus. Serviset do të jenë të detyruara të mbajnë dhe një regjistër për riparimin e makinave që kryejnë, me të dhënat e automjetit dhe të drejtuesit.


Provim kualifikimi
Udhëzimi përcakton që përgjegjësi teknik i servisit apo mekaniku duhet të pajiset me dëshmi të aftësisë profesionale, pasi t’i jetë nënshtruar një provimi për testimin e njohurive. Pyetjet dhe tezat e provimit do të përgatiten nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.

 

Para testimit përgjegjësi teknik duhet të dorëzojë në Drejtorinë e Transportit Rrugor kërkesën për pajisje me dëshmi aftësie profesionale, ku të përcaktojë nënkategorinë e kualifikimit, veprimtarinë që ka kryer që nga marrja e diplomës, CV dhe kartën e identitetit. Nga aplikuesi duhet të dorëzohen edhe kurse kualifikimi që ai ka kryer dhe dëshminë e penalitetit për mos dënim të veprave penale.Në udhëzim thuhet se përgjegjësi teknik i servisit dhe avokati duhet të nënshkruajnë kontratën e hartuar para noterit me afat 1-vjeçar.


Të dhënat:
Pajisjet që duhet të disponojnë serviset:

• Gropë riparimi ku duhet të qëndrojë një makinë, ose sipas rastit një kamion, autobus
• Urë ngritëse hidraulike ose elektrike
• Kompjuter
• Kuti të ndihmës të shpejtë
• Dy pajisje të mbrojtjes nga zjarri
Kriteret e ambientit:
• Sipërfaqja e servisit nuk mund të jetë më pak se 30 metra katrorë, të ketë instalimet e nevojshme elektrike dhe të ajrimit
• Vendqëndrim për mjetet që do të riparohen, ku mund të qëndrojë një makinë, ose sipas rastit kamion apo autobus
Dokumentet për testimin e përgjegjësit teknik:
• Testi i njohurive përgatitet nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor
• Kërkesë për pajisje me dëshmi kualifikimi
• Kopje e noterizuar e diplomës
• Certifikata për kurset e kualifikimit të ndjekura
• Dëshmi penaliteti
• Kopje të kartës së identitetit dhe CV
• Dokument teknik justifikues për veprimtarinë e përshkruar në CV
Dokumentet e licencimit:
• Dokumente pronësie ose të përdorimit të mjedisit
• Nënshkrimi i kontratës nga pronari i servisit të hartuar para noterit
• Garanci financiare e ngurtësuar në shumën 100 mijë lekë


Më të lexuarat