Secondary Adv

155 mln euro me shume se ne 2022 ne qarkullim, nuk justifikon renien euros

Në tre muajt e parë të vitit në vend hynë 115 milionë më shumë se vjet, kryesisht nga turizmi, eksportet, remitancat dhe investimet e huaja.

 

Në po të njëjtin hark kohor valuta europiane u zhvlerësua me 1.29 pikë. Për ekspertët kjo sasi eurosh e hyrë nuk justifikon zhvlerësimin e euros në këto nivele.

 

“Mbiçmimi i lekut, që rrjedhimisht po sjell zhvlerësim të euros… për Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë po vijnë si pasojë e 4 faktorëve fondamentalë që janë turizmi, remitancat, eksportet dhe investimet e huaja.

 

Të dhënat nga Bilanci i Pagesave nga Banka Qendrore tregojnë se në tremujorin e parë të vitit të katër këta faktorë kanë pësuar rritje. duke madje shënuar nivele rekord. Por a e justifikon kjo ecuri zhvlerësimin e euros në këto nivele?”

 

Nëse në një periudhë të caktuar në Shqipëri hyn më shumë valutë, se sa del, atëherë prania e saj rritet, duke bërë që vlera e saj në treg të bjerë.

 

Midis 624 milionë eurove që solli vetëm turizmi në tre muajt e parë të vitit, 308 milionë eurove të investimeve të huaja, 214 milionë eurove të emigrantëve, e llogarive të tjera që raporton Banka e Shqipërisë, Janar-Marsi pati një diferencë prej vetëm 115 milionë euro më shumë në Shqipëri se një vit më parë.

 

Në po të njëjtin hark kohor valuta europiane u zhvlerësua me 1.29 pikë duke rënë nga 114.5 lekë në fillim të janarit në 113.21 lekë në fund të marsit. Por a ishin 115 milionë eurot të mjaftueshme për të justifikuar këtë rënie?

 

“Po t’i kapësh të gjithë këta faktorë 1 e nga 1 në kohë, jam i bindur se dilet në konkluzionin se mbiçmimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros është i pajustifikuar. Në mendimin tim ka të tjerë faktorë, krahas këtyre fondamentalë po çojnë nën nënçmimin e euros”, thotë eksperti bankar Kliton Vaso.

 

Për të mbështetur argumentet e tij, eksperti bankar Vaso i referohet edhe kursit të këmbimit gjatë periudhës së pandemisë. “Euro ka filluar të zhvlerësohet fuqishëm në dy vitet e fundit. Kjo ka ndodhur edhe gjatë periudhës së pandemisë ku ne nuk patëm turizëm thuajse fare.

 

Pra ky faktor duket të mos jetë edhe aq fondamental në nënçmimin e valutës europiane. Insistoj te faktorë të tjerë informal. Vetëm dje u kap një autobus me 100 euro cash. Imagjino sa autobusë hyjnë e dalin në ditë”, shprehet Vaso.

 

Prej fundvitit të shkuar euro po zhvlerësohet me ritme të shpejta duke u katapultuar në nivelet më të ulëta historike.

 

Ekspertë të tregut valutor thonë se kjo po vjen si pasojë e sasisë së madhe të euros në treg, që krahas shifrave zyrtare, lidhet sipas tyre ngushtë edhe me faktorët informalë e kriminalë./Burimi: A2CNN


Më të lexuarat