Secondary Adv

Papunesia e te rinjve ne Kine arrin rekord te ri ne maj

Papunësia e të rinjve në Kinë u rrit në një shifër rekord në maj, ndërsa të dhënat kryesore nuk i përmbushën pritshmëritë.

 

Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 16 deri në 24 vjeç, u rrit në 20.8% në maj, një shifër rekord dhe edhe më e lartë se niveli i muajit prill. Shkalla e papunësisë për njerëzit e të gjitha moshave në qytete, ishte 5.2% në maj.

 

Shitjet me pakicë për muajin maj u rritën me 12.7% nga një vit më parë, më ulët se pritshmëritë për rritje 13.6%. Prodhimi industrial u rrit me 3.5% në maj nga një vit më parë, më ngadalë se 3.6%, që pritej nga sondazhet.

 

Analistët parashikuan një rritje prej 4.4% në investimet e aktiveve fikse, për pesë muajt e parë të vitit, krahasuar me një vit më parë.

 

Investimet e aktiveve fikse për pesë muajt e parë të vitit, u rritën me 4% nga një vit më parë, ritëm me i ulët se parashikimi 4.4%. “Ekonomia kombëtare mbajti vrullin e rimëkëmbjes,” tha byroja e statistikave.

 

Sfidat për rritjen e Kinës

Megjithatë, byroja paralajmëroi për sfida të vazhdueshme nga mjedisi ndërkombëtar dhe “presion në rritje” mbi “rregullimin strukturor të brendshëm”, pa sqaruar më shumë.

 

Shifrat për prillin gjithashtu nuk u përputhën me pritshmëritë e analistëve, duke reflektuar se si rimëkëmbja ekonomike e Kinës nga pandemia po humbiste.

 

Zëdhënësi i zyrës së statistikave Fu Linghui, tha se rritja e tremujorit të dytë pritet të jetë më e shpejtë se tremujori i parë, pasi baza e krahasueshme nga viti i kaluar ishte e ulët.

 

Ai tha se rritja në tremujorin e tretë dhe të katërt ,do të kthehet në një ritëm “normal”. Fu tha se Kina mund të arrijë objektivin e rritjes për të gjithë vitin, i vendosur në rreth 5% rritje të PBB-së për vitin 2023.

 

Ekonomia u rrit me vetëm 3% në 2022, viti kur metropoli i Shangait u mbyll në prill dhe maj, si pjesë e masave për të kontrolluar Covid-in. Pekini i hoqi këto kontrolle në dhjetor.

 

“Por mund të duhen dy deri në tre vjet për të mbështetur një rikuperim të ngadalshëm ekonomik dhe për të rifituar një normë më të lartë potenciale rritjeje mbi 6%,” tha ai, “me nxitës më të balancuar të rritjes dhe impuls të brendshëm më të fortë”.

 

Autoritetet kanë filluar të lirojnë politikën monetare, në një përpjekje për të mbështetur rritjen, megjithëse masa më të gjera nuk priten, derisa drejtuesit e lartë të mbajnë një takim në fund të korrikut.

 

Bankat më të mëdha tregtare të Kinës javën e kaluar, ulën normat e depozitave. Të martën, Banka Popullore e Kinës uli normën e saj të marrëveshjes së kundërt të riblerjes shtatë-ditore me 10 pikë bazë, nga 2% në 1.9%. Banka qendrore pritet të ulë normën bazë të interesit javën e ardhshme.

 

Ngadalësimi i rritjes globale, veçanërisht në SHBA dhe Europë, po rëndon mbi eksportet kineze, një kontribues i rëndësishëm në rritjen e brendshme. Eksportet e Kinës ranë me 7.5% në maj, krahasuar me një vit më parë, shumë më keq se rënia prej 0.4% e parashikuar.

 

Megjithatë, importet e Kinës në maj ranë më pak se sa pritej, me 4.5% më pak nga një vit më parë./Burimi:CNBC/Monitor https://www.monitor.al/papunesia-e-te-rinjve-ne-kine-arrin-rekord-te-ri-ne-maj/


Më të lexuarat