Secondary Adv

Policia masa per sezonin turistik, mjetet qe ndalohen dhe akset me kufizime

Trafiku gjatë sezonit turistik është kthyer në gangrenë sidomos gjatë fundjave dhe sezonit turistik.

 

Për këtë qëllim, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan për kufizimin në disa akse të lëvizjes së mjeteve të ndryshme që ngadalësojnë qarkullimin.

 

Në kuadër të masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023, si dhe për monitorimin e qarkullimit rrugor drejt zonave bregdetare dhe turistike, me qëllim krijimin e lehtësirave për lëvizjen e qytetarëve dhe të shtetasve të huaj që zgjedhin vendin tonë,

 

si dhe në zbatim të udhëzimit të përbashkët nr.7967, të datës 30.05.2018, “Mbi kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda për transport rrugor të mallrave, gjatë sesonit turistik dhe gjatë festave”, njoftojmë të gjithë qytetarët dhe subjektet se:

 

-Duke filluar nga dita e sotme, deri më datë 15.09.2023, gjatë fundjavës dhe ditëve të festave, do të ketë kufizime për të gjitha kategoritë e mjeteve rrugore si më poshtë:

 

• Mjetet rrugore për transportin e mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar, mbi 7500 kg;

• Mjetet rrugore me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m (transporte me mjete jashtë norme ose transporte në kushte jonormale);

 

• Mjetet rrugore bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë;

• Mjetet rrugore që kalojnë përmasat kufitare, sipas nenit 61 të Kodit Rrugor;

 

• Mjetet rrugore që shërbejnë për kursantët e autoshkollave mësimore.

 

-Kufizimet e lëvizjes përfshijnë akset e mëposhtme:

• “PKK Muriqan-Shkodër” dhe anasjelltas; “PKK Hani i Hotit-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Zogajt-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Shirokës-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Velipojës-Shkodër” dhe anasjelltas;

 

• “Shkodër-Lezhë”, “Lezhë-Shëngjin”, “Lezhë-Patok” dhe anasjelltas;

• “Durrës-Tiranë”, “Durrës-Gjiri i Lalëzit”, “Durrës-Currila”, “Durrës-Kavajë”, “Kavajë-Plazhi i Gjeneralit”, “Kavajë-Spille”, “Kavajë-Kthesa e Divjakës-Lushnjë” dhe anasjelltas;

 

• “Lushnjë-Fier”, “Fier-Seman”, “Fier-Plazhet e Poros” dhe anasjelltas;

• “Vlorë-Palasë-Dhërmi-Vuno-Himarë-Qeparo-Borsh-Bunec-Sarandë” dhe anasjelltas;

 

• “Sarandë-Butrint”, “Elbasan-Pogradec”, “Elbasan-Rrogozhinë” dhe anasjelltas;

• “Qafë Thanë-Lin-Pogradec-Tushemisht” dhe anasjelltas;

 

• “Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë” dhe anasjelltas;

• “PKK Morinë-Kukës-Milot-Durrës-Lezhë” dhe anasjelltas;

• “PKK Qafë Morinë-Bajram Curri” dhe anasjelltas.

 

-Këto kufizime lëvizjeje parashikohen në ditët dhe në oraret si më poshtë:

• Të premten, nga ora 15:00-22:00;

 

• Të shtunën, nga ora 08:00-12:00 dhe nga ora 16:00-22:00;

• Të dielën, nga ora 07:00-22:00.

 

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe subjekteve që preken nga kufizimet e sipërpërmendura, që të zbatojnë me korrektesë masat kufizuese, me qëllim krijimin e lehtësirave të nevojshme për pushuesit vendas dhe ata të huaj, gjatë sezonit turistik 2023./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat