Nga sot nis funksionimi i Qendres Kombetare te Biznesit
Qendra Kombëtare e Biznesit nis ofrimin e shërbimeve në mënyrë të përmbledhur, duke reduktuar burokracinë dhe kostot e biznesit dhe jo të ndara siç janë ofruar QKR dhe QKL. Biznesi, duke nisur nga 1 Prilli do të ketë një qendër të vetme, të dedikuar për regjistrimin, si dhe lejet dhe licencat.
Ngritja e QKB-së në këtë fazë kupton më së shumti bashkimin administrativ, ndërsa nuk flitet për reduktim të lejeve apo licencave, të paktën jo në këtë fazë. Puna për krijimin e kësaj qendre të vetme ka nisur që në vitin 2014, ndërsa parashikohet që në tërësi reforma për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri të përfundojë plotësisht në vitin 2017.
Kjo reformë vjen në kuadër të angazhimit që qeveria shqiptare ka marrë në atë që njihen si plani i masave i vendeve të Europës Juglindore për integrimin drejt tregjeve globale. Qeveria shqiptare është asistuar nga GIZ për krijimin e Qendrës Kombëtare te Biznesit dhe mendohet që në total kostoja të përllogaritet në rreth 70 milionë lekë.
Me nisjen e funksionimit të kësaj qendre do të reduktohen në ndjeshëm vizitat fizike të biznesit. Qeveria parashikon që QKB-ja të mbështetet thellësisht në shërbimin elektronik. Gjatë vitit të kaluar u bë e mundur realizimi i disa ndryshimeve që kishin të bënin kryesisht me regjistrimin elektronik.