Secondary Adv

Te ardhurat nga aktivitetet e fasonerise shenuan rekord te ri

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga shërbimet e punës me porosi për subjektet e huaja shënuan rekord të ri në tremujorin e parë të këtij viti.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria arritën në 196 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një tremujor të vetëm.

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat nga këto shërbime janë rritur me 24%. Në terma neto, fasoneria ishte kontribuesi i dytë më i rëndësishëm në bilancin e llogarisë korrente të vendit, pas remitancave, duke lënë pas edhe prurjet neto nga turizmi.

 

Këto burime të prurjeve valutore kanë rëndësi të madhe për pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, sepse mundësojnë ngushtimin e deficitit të madh në tregtinë e mallrave.

 

Krahu i lirë i punës ka qenë baza kryesore e mbështetjes së eksporteve shqiptare në 30 vitet e fundit. Fasoneria ka qenë e përqendruar historikisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit.

 

Por, në vitet e fundit prodhimi me porosi po shtrihet gjithnjë e më shumë edhe në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore apo pjesëve të këmbimit për automjetet dhe produkte të tjera industriale.

 

Ndryshe nga tekstilet dhe këpucët, aktivitetet e tjera të fasonerisë nuk janë të ndara në seksione statistikore të veçanta dhe kjo e bën të vështirë llogaritjen e kontributit të tyre në prodhim dhe punësim.

 

Megjithatë, vlerësohet se sidomos aktivitetet e lidhura veçanërsisht me industrinë automotive kanë fituar peshë të konsiderueshme në vitet e fundit.

 

Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë potencialisht vlerësohet se kanë shtuar shanset që tregjet si Shqipëria të fitojnë më shumë.

 

Megjithatë, tkurrja e popullsisë dhe vështirësia në rritje për të siguruar forcë pune të mjaftueshme po bëhet gjithnjë e më shumë një sfidë për perspektivat e sektorëve të fasonerisë.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente pësoi një rënie të fortë në tremujorin e parë të vitit në 135 milionë euro, 72% më pak krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe 46% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Kjo ishte njëkohësisht vlera më e ulët e shënuar ndonjëherë për tremujorin e parë të vitit, të paktën për periudhën prej vitit 2008 e në vazhdim, të mbuluar nga statistikat e Bankës së Shqipërisë.

 

Një nga faktorët kryesorë që ndikoi në uljen rekord të këtij deficiti ishte edhe sektori i fasonerisë./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/te-ardhurat-nga-aktivitetet-e-fasonerise-shenuan-rekord-te-ri-ne-tremujorin-e-pare-te-vitit/


Më të lexuarat