BE thirrje Kurtit dhe Vucic per dialog pa kushte, ndryshe pasoja
Brukseli paralajmëron kryeministrin e Kosovës dhe presidentin Vuçiç se mosopjesëmarrja në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE në Bruksel do të ketë pasoja.
"Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiçit dhe Kurtit nuk është përgjegjës”, tha Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për gazetarët mesditën e sotme.
Ndërkohë ende nuk është caktuar data e takimit pasi të dyja palët ende refuzojnë dhe Stano ishte i qartë kur përcolli mesazhin se ata duhet të vijnë në takim pa vendosur kushte paraprake.
“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime"
Deklarata e Stanos erdhi vetëm pak orë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi në një prononcim për median se paraprakisht duhej të informohej si është gjendja e tre policëve të rrëmbyer nga forcat e policisë serbe.
Po ashtu Kurti tha se për shtensionimin e situatës në veri, ka propozuar që gradualisht të zvogëlohet prania e njësisë speciale rreth objekteve komunale.
Nga ana tjetër, shpërthime me bombë janë raportuar mbrëmjen e djeshme në Zveçan, policia e Kosovës raporton se disa persona të paidentifikuar kanë hedhur një tymuese i modelit 2013./Burimi: Shqiptarja.com