Ndertimi rrit xhiron ekonomike, industria ne renie
Indeksi i volumit të shifrës së afarizmit, vlerësuar me çmime fikse, arriti 131,6 në tremujorin e katërt 2015. Ndryshimi vjetor i indeksit pasqyron rritje prej 2,1% në aktivitetet ekonomike të mbuluara në anketë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, raporton INSTAT-i. Ky ndryshim në tremujorin e fundit të vitit 2014 ishte me rritje 2,6%.
Krahasimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, nxjerr rritjen prej 3,7% në raport me tremujorin paraardhës. Në këtë rritje ndikuan kryesisht aktivitetet që kryhen në sektorët “Ndërtim” me 28.9% dhe “Energji elektrike, gaz, avull” me 13%. Anketa mbulon aktivitetet: “Industri” (përfshi industri nxjerrëse dhe industri përpunuese), “Energji elektrike, gaz, avull”, “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, “Ndërtim”, dhe “Shërbime” (ku përfshihen tregti, transport dhe magazinim, hotele, informacion dhe komunikacion, aktivitete arkitekture dhe inxhinierike, agjenci udhëtimi).
Sektori i industrive ka shënuar rënie në tremujorin e katërt me -4.4%, për shkak të dobësive që po kalon sektori i industrisë nxjerrëse e nxitur nga rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Industria nxjerrëse, sipas INSTAT-it, e ka indeksin e afarizmit në rënie -37.2%. Ndërsa industria përpunuese ka pësuar rritje me 10.4 për qind e nxitur nga një situatë gjithnjë e në rritje të sektorit të fasonit. Sektori i shërbimeve gjithashtu ka pësuar një rritje të lehtë në tremujorin e fundit me 1.8 për qind. Peshën më të madhe të rritjes e kanë pasur agjencitë e udhëtimit me 21.8 për qind. Volumi i afarizmit në sektorin e tregtisë pësoi një rritje me 3.2 për qind. Ndërsa volumet në sektorin e transportit dhe magazinimit ranë me 39.9%. Volumi i afarizmit në hotele shënoi një rritje 11.3%, si dhe aktivitetet inxhinierike dhe arkitekturore pësuan rritje me 9,3%.