KKT miraton lejen per kullen 58 kate ne rrugen e Barrikadave, me e larta deri tani
Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për ndërtimin e kullës 205 metër të lartë në Rrugën e Barrikadave.
Leja me kusht për qëndrën multifunksinale Mount of Tirana është miratuar në mbledhjen e datës 8 mars të KKT-së.
Sipas dokumentave, kulla që do të ndërtohet nga kompania Nova Construction 2012 do të jetë 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë. Projekti është hartuar nga studio daneze e arkitekturës Cebra.
Mount Tirana bëhet kështu ndërtesa më e lartë në Shqipëri e miratuar deri më tani. Sipas projektit, kulla do të ketë disa hapësira, jo vetëm për zyra, por edhe për rezidencë, hoteleri dhe argëtim.
Mount Tirana
Projekti Mount Tirana u prezantua në tetor të vitit të kaluar në një aktivitet të posaçëm për përzgjedhjen e qëndrës shumëfunksionale të Tiranës. “Mount of Tirana” nga Cebra u shpall projekti fitues në një konkurs ku garonin 5 projekte nga studio të huaja.
Juria që shpalli fituese Mount of Tirana ishte e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe një grup arkitektësh të mirënjohur si Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti dhe Freek Persyn.
Fillimisht Mount Tirana u prezantua se do të ishte 185 metra e lartë, por varianti përfundimtar i saj është rritur në 205 metër lartësi. Miratimi i kullës më të lartë në Tirana vjen në kulmin e debatit për betonizimin masiv të kryeqytetit me kulla shumëkatëshe./Burimi: Oligarkia.al