Operacioni i SPAK ne kampin e MEK, perplasje mes muxhahedineve dhe policise
Prej mëngjesit të sotëm Policia e Shtetit ka zbarkuar në kampin e MEK, për të ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet ku janë strehuar aktivistë të opozitës iraniane.
Burimet thanë se po ushtrohen kontrolle të imtësishme në pajisje elektronike si kompjutera, telefonë, dronë, etj. Operacioni drejtohet nga kreu i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ndërsa burime bëjnë me dije se janë lëshuar 70 urdhër-arreste.
Zëdhënësi i kampit të iranianëve MEK në Manzë të Durrësit pretendon se policia shqiptare ka vrarë një person brenda kampit e ka plagosur 36 të tjerë. Por policia shqiptare thotë se pretendimet e tyre nuk janë të vërteta.
Përmes një njoftimi për shtyp policia e shtetit informoi se kontrollet bëhen në kuadër të një plani operacional në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
"Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare,
Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës."
Burime nga blutë për Report Tv, bëjnë me dije se urdhri i kontrolleve bëhet në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimin e sulmeve kibernetike. Ndërsa policia kujdeset të thotë se ky kontroll po bëhet duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të atij komuniteti.
‘Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK,
duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.’- njofton policia.
Report Tv sjell edhe pamjet nga kontrolli i policisë në kampin e muxhahedinëve në Manzë. Kampi ‘ASHRAF 3’ prej vitit 2013 strehon rreth 3000 opozitarë iranianë!/Burimi: Shqiptarja.com