Secondary Adv

Shqiperia e dyta per cmimet me te shtrenjta ne Rajon

Në Shqipëri, çmimet ishin sa 61.3% e mesatares së Bashkimit Europian, sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT.

 

Ndërsa në raport me shtetet e tjera të rajonit, Shqipëria është e dyta relativisht më e shtrenjtë, pas Serbisë, që ka një tregues prej 62.8%.

 

Në Malin e Zi, çmimet janë sa 60.4% e mesatares së Bashkimit Europian, në Bosnjë Hercegovinë 57.6, ndërsa më e lira në rajon është Maqedonia e Veriut, me 51%.

 

Ndonëse kanë pagat më të ulëta mesatare në rajon, rreth 30-40% më pak se vendet e tjera (me përjashtim të Kosovës) familjet dhe individët shqiptarë përballen me çmime më të larta në blerjet e tyre të përditshme.

 

Më të shtrenjta se mesatarja europiane në Shqipëri janë bulmeti (111.7%), vaji  (106.7), Pijet joalkolike (108%) elektroshtëpiake (122%), sipas Eurostat.

 

Çmimet në Europë

Në vitin 2022, nivelet e çmimeve për shpenzimet e konsumit përfundimtar të familjeve, ndryshonin gjerësisht në të gjithë BE-në.

 

Nivelet më të larta të çmimeve u regjistruan në Irlandë (146% e mesatares së BE-së), Danimarkë (145%) dhe Luksemburg (137%). Ndërkohë, nivelet më të ulëta janë shënuar në Rumani (58%), Bullgari (59%) dhe Poloni (62%).

 

Hendeku më i madh i çmimeve për alkoolin dhe duhanin

Në vitin 2022, niveli i çmimeve për alkoolin dhe duhanin ishte rreth 3.3 herë më i lartë në vendin më të shtrenjtë, sesa në atë më pak të shtrenjtë.

 

Nivelet më të ulëta të çmimeve për alkoolin dhe duhanin, u regjistruan në Bullgari (66% e mesatares së BE), Poloni (73%) dhe Hungari (78%).

 

Ndërkohë, nivelet më të larta janë regjistruar në Irlandë (216%), Finlandë (174%) dhe Danimarkë (138%). Ky ndryshim i madh i çmimeve është kryesisht, për shkak të dallimeve në taksat e këtyre produkteve.

 

Restorantet dhe hotelet, renditen të dytat për sa i përket diferencës së nivelit të çmimeve, me nivelet më të ulëta të çmimeve të regjistruara në Bullgari (51% e mesatares së BE), Rumani (61%) dhe Hungari (62%) dhe më të lartat në Danimarkë (156%), Finlandë (132%) dhe Luksemburg (131%).

 

Çmimet e veshjeve ishin më të lira në Bullgari (80% e mesatares së BE-së), Hungari (83%) dhe Rumani (84%), ndërsa më të shtrenjta në Danimarkë (134%), Suedi (117%) dhe Çeki (115%).

 

Pabarazitë u regjistruan gjithashtu për ushqimin dhe pijet joalkoolike, që variojnë nga 72% e mesatares së BE në Rumani në 121% në Danimarkë, pajisjet e transportit personal, që variojnë nga 87% në Poloni në 132% në Danimarkë, dhe pajisjet elektronike të konsumatorëve, nga 92% në Itali në 115% në Francë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/https-www-monitor-al-wp-admin-post-phppost300932actionedit/


Më të lexuarat