Secondary Adv

Ibrahimaj: Ndryshon taksimi i baneses dhe tokes bujqesore

Qeveria do të ndryshojë taksimin e pronës, bëhet fjalë për një reformim të taksimit të banesës dhe të ndërtesës apo për tokën bujqësore apo pyjore.

 

Sipas pr/ligjit të ri i cili që po hartohet Qeveria taksimi nuk do të llogaritet më mbi bazën e çmimit të referencës së pasurisë, por mbi vlerën e tregut.

 

Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj sot paradite gjatë një takimi me pedagogë dhe studentë të universitetit të Bujqësor të Tiranës.

 

“Ka ardhur momenti të bëjmë një reformë edhe për taksën në vetvete. Kur flas për taksën e pronës, flas për ndërtesat, banesat, por edhe për tokën bujqësore, pyjore, apo për tokën që supozohet të shkojë për zhvillim.

 

Propozojmë të kalojmë nga një taksim në bazë të çmimeve të referencës në një taksim i cili merr parasysh çmimet e tregut, që në fakt është praktika ndërkombëtare,” deklaroi ministrja e Financave gjatë një takim me pedagogë dhe studentë të Fakultetit Ekonomik në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

 

Projekti është dërguar paraprakisht për mendim ekspertëve të Universitetit Bujqësor i Tiranës për të marrë mendim për taksimin e tokës bujqësore, përpara se kjo të finalizohet në pr/ligj dhe të hidhet në konsultim publik. "Ne besojmë që ka ardhur momenti që Shqipëria ta fillojë këtë reformë.

 

Është shumë e rëndësishëm të kuptojmë që toka është një aset, i cili domosdoshmërisht duhet shfrytëzuar dhe duhet të ketë incentiva, pse jo dhe incentiva të politikave fiskale, që të nxisin përdorimin dhe shfrytëzimin e tokës.

 

Toka e papërdorur dhe toka e pambjellë mbetet aty dhe pronarët e saj, fermerët ose jo, nuk kanë asnjë incentivë sot që ta zhvillojnë tokën.

 

Nëpërmjet këtij ligji ne synojmë që të rrisim eficencën e përdorimit të tokës dhe të nxisim incentivat për shfrytëzimin e saj, nga ato individë që duan ta shfrytëzojnë, kanë kapacitet dhe njohuri që ta shfrytëzojnë."

 

Edhe pse nuk u thanë shumë detaje nga ligji disa kategori duket që do të kenë mundësi të subvencionohen dhe do të ketë incentiva për fermat e reja.

 

“Ligji ka shumë detaje edhe lidhur me kategoritë që do të subvencionohen, pasi ka kategori të cilat kanë paaftësi në pagesë. 

 

Përsa i përket taksës që supozohet që të jetë taksë për sektorin bujqësor, për tokat bujqësore apo pyjore, ka disa incentiva lidhen me vitet e para të prodhimit, në mënyrë që ne të bëjmë të mundur që të nxisim mbjelljen, të nxisim prodhimin, të nxisim shfrytëzimin e pronës," tha Ibrahimaj. 

 

Të ardhurat nga taksa e pronave përbëjnë 0.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto ndërkohë që në vendet e rajonit është më e lartë.

 

“Vendet e rajonit kanë një mesatare rreth 0.8 % të GDP, ndërkohë që ne jemi në nivelin 0.3 të GDP, ndërsa përgjithësisht vendet e OECD e kanë 1.1 % të GDP, vendet e zhvilluara si SHBA, Kanada dhe Anglia shkojnë nga 2.5 në 3%.

 

Pra, dukshëm dhe qartazi ne kemi një nivel shumë të ulët dhe taksimi dhe mbledhje” sqaroi Ibrahimaj. Reforma duket se do të kërkojë shumë komunikim publik me popullatën për të shpjeguar pse bëhet ky taksim dhe cili është niveli i taksimit.

 

Gjithashtu trajnim për 61 bashkitë tona të cilat do të duhet ta mbledhin këtë taksë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat