Secondary Adv

Sezoni turistik ne Kroaci po thyen te gjitha rekordet

Me ardhjen e qershorit, po nis edhe sezoni turistik në Kroaci.

 

Bordi Turistik Kroat pret rezultate të shkëlqyera. Njoftimet nga tregjet më të rëndësishme janë shumë të mira dhe sigurisht që këtu ka ndikuar edhe përfundimi i periudhës së pandemisë.

 

Këtë vit, turizmi në Europë do të arrijë ose do të tejkalojë rezultatet rekord të vitit 2019, veçanërisht në Mesdhe, ndërsa Kroacia i ka tejkaluar këto rezultate që në qershor, theksoi Kristjan Stanicic, drejtori i Bordit Turistik Kroat (HTZ).

 

Sipas të dhënave paraprake nga sistemi eVisitor, nga fillimi i këtij viti deri më 27 maj, Kroacia është vizituar nga 3.5 milionë turistë, me 10.7 milionë net-qëndrime, duke shënuar rritje prej 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 3% më shumë se në vitin 2019.

 

Pothuajse gjysma e të gjitha ardhjeve, ose 1.4 milionë nga 4.8 milionë net-qëndrimet, janë rezervuar deri në datën 27 maj, duke shënuar një rritje prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019,

 

ndërsa kjo është një rritje prej 24% krahasuar me majin e kaluar, thotë Stanicic, i cili u rizgjodh si nënkryetar i ETC-së (Komisioni Europian i Udhëtimit), një shoqatë e organizatave kombëtare të turizmit, me seli në Bruksel.

 

Ai beson se ka ardhur koha për t’u larguar nga shifrat turistike dhe thekson zhvillimin e përvojave të reja dhe motivimin për ardhjet në periudhën para dhe pas sezonit.

 

“Fokusi në sektorin e turizmit duhet të jetë në qëndrueshmërinë e turizmit dhe pozicionimin e Kroacisë si një destinacion tërheqës gjatë gjithë vitit.

 

Ekziston një mundësi në tregjet e largëta dhe gjithnjë e më shumë turistë po vijnë për pushime para dhe pas verës, për të shmangur temperaturat e larta, turmat dhe për të përfituar nga çmime më të ulëta”, thotë Stanicic.

 

“Kroacia u përmend në takimet e ETC-së edhe gjatë pandemisë, si destinacioni më i suksesshëm turistik, kështu që pritshmëritë për këtë sezon turistik janë të larta, por edhe vendet e tjera anëtare të ETC-së presin një vit të mirë turistik”, thotë Stanicic,

 

duke shtuar se sipas hulumtimit të ETC-së, dëshira e europianëve për të udhëtuar është e fortë dhe më shumë se gjysma e tyre, tashmë kanë rezervuar udhëtimin e radhës, ndërsa 59% planifikojnë dy ose më shumë udhëtime deri në fund të shtatorit.

 

Kur e pyetën se si rritja e çmimeve në turizëm ndikon në kërkesë, Stanicic thotë se sipas hulumtimit të ETC-së, më shumë europianë janë të shqetësuar për çmimet këtë vit se sa vitin e kaluar, konkretisht 24% kundrejt 18%.

 

E njëjta gjë vlen edhe për shqetësimin për situatën e përgjithshme ekonomike dhe financat personale, por ata duan të udhëtojnë dhe mendojnë se do shpenzojnë më shumë për udhëtime në 6 muajt e ardhshëm se më parë, por gjithashtu po përpiqen të kursejnë kur planifikojnë, p.sh., të udhëtojnë më shumë jashtë muajve të verës kur çmimet janë më të lira.

 

Priten më shumë ardhje të turistëve nga SHBA-ja në Europë këtë vit, duke qenë se numri i rezervimeve të linjave ajrore për këtë sezon, është rritur me 15% krahasuar me vitin 2022, dhe me 3% në krahasim me vitin 2019.

 

Investimet në marketing dhe promovim të turizmit, janë rritur pothuajse në të gjitha vendet. “Shumica e konkurrentëve kroatë po investojnë më shumë në reklamim këtë vit se sa në vitet e mëparshme,

 

ata janë shumë aktivë në treg, disa kanë tërhequr fonde nga BE dhe disa organizata kombëtare të turizmit kanë bashkuar forcat me sektorin privat, kështu që të gjithë presin rezultate më të mira”, thotë Stanicic.

 

Buxheti i HTZ-së për këtë vit prej rreth 34.8 milionë eurosh është rreth 4% më i lartë se ai i vitit të kaluar, një rritje që reflekton suksesin e madh të Kroacisë në turizëm.

 

Aktualisht, HTZ-ja po zbaton fushatën e saj në 14 tregje, mesazhet e së cilës janë parë nga më shumë se 150 milionë përdorues përmes rrjeteve sociale dhe reklamave të shfaqura deri tani,

 

kështu që Stanicic pret efekte të mëdha sepse, për shembull, fushata televizive e HTZ-së në Austri, Francë, Itali, Holandë, Gjermani, Sllovaki dhe Britani të Madhe, i nxiti mediat e tyre që të bënin xhirime shtesë në Kroaci.

 

HTZ-ja është në procesin e përzgjedhjes së një koncepti të ri komunikimi për turizmin kroat, me një identitet dhe slogan të ri vizual, i cili duhet të zëvendësojë sloganin “Kroacia, plot jetë”.

 

Sipas Stanicic-it, janë përzgjedhur kandidatët që kanë hyrë në fazën e dytë të tenderit dhe tani është faza e vënies në provë të propozimeve mbi tregjet e huaja, e cila duhet të përfundojë deri në fund të qershorit.

 

“Në fund, vendimi përfundimtar i përzgjedhjes duhet të miratohet nga Këshilli Turistik i HTZ dhe duke qenë se ky është një proces shumë i rëndësishëm që do të përcaktojë komunikimin dhe promovimin e turizmit kroat në të ardhmen,

 

ne duam të jemi sa më të plotë dhe të bëjmë zgjedhjet më të mira, që do të komunikojnë më së miri markën e turizmit kroat”, përfundon Stanicic./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/sezoni-turistik-ne-kroaci-po-thyen-te-gjitha-rekordet-duke-ia-kaluar-pjeses-tjeter-te-be-se-2/


Më të lexuarat