Dy kompani nga Shqiperia ne skandalin boteror te Panama Papers
Gazeta izraelite Haaretz është një prej mediave kryesore të angazhuara në ekspozimin e skandalit financiar të pagëzuar me emrin “Panama Papers”.
Në morinë e dokumenteve të firmes ligjore panameze, ajo zbulon edhe emrin e një avokati izraelit, Assaf Halkin, i cili ka regjistruar plot katër kompani përmes Mossack Fonseca.Një prej bizneseve të Halkinit, që citon gazeta është “GFI Technologies”. Kjo kompani është regjistruar në majin e 2013-ës në ishullin e Anguillas dhe pak javë më pas fitoi nga qeveria shqiptare e asaj kohe një nga kontratat më të përfolura, por edhe më të majme koncesionare, atë të ngjyrosjes së karburanteve. “Haaretz” shkruan se pronarët e kompanisë janë avokati izraelit Halkin, firma kanadeze “Global Fluids International” si dhe një shtetas shqiptar, të cilin gazeta e quan Ismail Mulati, por që sipas përshkrimeve rezulton të jetë Ismail Mulleti.
Por GFI nuk e fitoi e vetme koncesionin e markimit të karburanteve. Pasi u regjistrua në Anguila, ajo u bashkua me një tjetër kompani të quajtur “Petrolium Consulting Partners”, edhe kjo e fundit një kompani me aksioner të panjohur e regjistruar po në maj të 2013-s në Zvicër. Pak javë pas themelimit të koordinuar të dy kompanitë u bashkuan në një konsorcium dhe fituan nga qeveria shqiptare koncesionin dhjetëvjecar të shënjimit të karburanteve.
Kontrata është një biznes gati 200 milionë euro, i cili ka lindur si një kompani “offshore” dhe që vazhdon të mbetet i mistershëm edhe sot. Në shtator të vitit të kaluar, GFI u zhduk nga koncesioni duke mbajtur një shumë fare simbolike të aksioneve vetëm, 0.07 përqind dhe duke ja shitur atë plotësisht “Petrolium Consulting Partners”.
Ky operacion duket tipik i kompanive “offshore”, të cilat pasi formohen dhe realizojnë transaksione sekrete, mbyllen për të mos lënë gjurmë pas. Por ai i markimit nuk është koncesioni i vetëm që buron nga “offshore”. Edhe kontrata të tjera koncesionare janë të përfolura se zotërohen nga biznese të krijuar në parajsa fiskale, çka nuk duket të jetë një rastësi.