Secondary Adv

Stepen te huajt, bie ritmi i investimeve te huaja ne pasuri te paluajtshme

Pas një rritjeje të vazhdueshme, investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme kanë shfaqur tendenca ngadalësimi për herë të parë gjatë dy viteve të fundit.

 

Statistikat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se investimet e huaja direkte (IHD) në pasuri të paluajtshme ishin 49 milionë euro, ose 25% më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.

 

Ky është dhe fluksi më i ulët tremujor që prej fillimit të vitit 2021. Që nga ajo periudhë blerjet e pasurive të paluajtshme nga të huajt kishin parë një rritje të vazhdueshme, duke u bërë një ndër sektorët kryesorë që udhëhoqën IHD-të.

 

Gjithsesi rritja e vazhdueshme e çmimeve duket se ka filluar të frenojë të huajt, që po blinin vila e apartamente, kryesisht në zonat bregdetare. Fluksi i IHD-ve në tremujorin e parë ishte 308 milionë euro, pothuajse në të njëjtin nivel në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Investimet në pasuri të paluajtshme zunë gati 16% të totalit, duke u renditur të tretat pas industrisë nxjerrëse dhe aktiviteteve financiare. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky sektor solli fluksin më të lartë të IHD-ve, me gati 22% të totalit.

 

Në tre muajt e parë të 2023-t, industria nxjerrëse solli fluksin më të lartë të IHD-ve, me 22% të totalit, duke u rritur me 28% me bazë vjetore.

 

Aktivitetet financiare sollën 58 milionë euro investime të huaja, me dyfishim në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtu përfshihen investimet e bankave, që kryesisht janë shtim i kapitalit në përputhje me kërkesat rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

 

Rritja e investimeve në industrinë nxjerrëse dhe atë financiare ka kompensuar rënien e tyre në pasuritë e paluajtshme. Industria përpunuese pa një rënie me 44% të investimeve, në vetëm 19 milionë euro.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/stepen-te-huajt-bie-ritmi-i-investimeve-te-huaja-ne-pasuri-te-paluajtshme-ne-t-i-2023/


Më të lexuarat