Secondary Adv

ATP: 4 formularet per te marre parate dhe pronat

Agjencia e Trajtimit të Pronave çel sot aplikimet për kompensim financiar dhe fizik. Janë dy formularë që duhet të plotësohen pranë zyrave të ATP-së, njëri për kompensimin financiar dhe fizik dhe tjetri vetëm për kompensimin fizik. Në secilin rast, ish-pronari duhet të plotësojë nëntë dokumente.


Kompensimi financiar dhe fizik
Sipas formularit-tip që publikon gazeta, mësohet se kërkuesi duhet të cilësojë faktin se kërkon kompensim financiar. Për plotësimin e dosjes duhet të paraqitet: Kërkesa për kompensim financiar/ fizik, konfirmim nga ZVRPP-ja për gjendjen juridike të pronës, vërtetim nga gjykata nëse vendimi përfundimtar apo i vlerësimit të tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve, prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët, vërtetim numër llogarie, vërtetim nëse subjekti ka përfituar ose jo tokë bujqësore, dokument identifikimi dhe mandat pagese. Të njëjtat dokumente duhet të paraqiten edhe në rastin kur pronari kërkon kompensim fizik.


Llogaritja
Kompensimi për ish-pronarët për tokën truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi, do të kryhet me para. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/ 2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës. Neni 8, pika a e ligjit nr. 133/2015, për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.


Dy rastet
Qeveria ka përcaktuar se në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5% më e madhe se vlera 50 milionë lekë, atëherë subjekti kompensohet për të gjithë vlerën. Në rastin e dytë, kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar rezulton se pjesa e mbetur është më e madhe se 5% mbi vlerën 50 milionë lekë, atëherë subjekti, për diferencën mbi këtë kufi, 50 milionë lekë, kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës.


Procedurat e kompensimit
Kompensimi i subjekteve fillon pasi vendimi i vlerësimit të pronës bëhet përfundimtar. Vlerësimi bëhet përfundimtar kur: ka kaluar afati i përcaktuar në pikën 3, të nenit 19, të ligjit nr.133/ 2015, dhe nuk ka pasur ankim; subjektet e intere suara dhe Avokatura e Shtetit deklarojnë që nuk do të bëjnë ankim, dhe ka ankim dhe është përfunduar shqyrtimi në gjykatat e të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Sipas vendimit, subjektet të cilat disponojnë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim. ATP-ja vijon procedurat për kompensimin e subjekteve sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm. Të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë bujqësore, pyll, livadh e kullotë, përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës.


Fondi fizik
Kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim. ATP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve, duke verifikuar dokumentacionin e lëshuar nga institucionet që e kanë lëshuar atë. Në rastet kur ATP-ja vlerëson se për ekzekutimin e vendimit përfundimtar është i nevojshëm një hetim administrativ, atëherë ajo kryen procedurën hetimore administrative, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative. ATP-ja njofton publikisht, nëpërmjet faqes zyrtare të institucionit, Buletinit të njoftimeve zyrtare dhe/ose në media, listën e subjekteve që përfitojnë nga Fondi i Kompensimit të Pronave.


Më të lexuarat