
Normat e interesit per depozitat ne leke rane per te tretin muaj radhazi
Normat mesatare të interesit për depozitat në Lekë të individëve pësuan sërish rënie në muajin prill.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lekë për individët për prillin zbriti për të tretin muaj radhazi në 1.41%, nga 1.46% që kishte qenë në muajin mars.
Ky është niveli më i ulët i interesit mesatar të depozitave të reja në Lekë që prej nëntorit të vitit të kaluar. Normat e interesit të depozitave filluan të rriteshin pas ndryshimit të kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, në mars të vitit të kaluar.
Rritja u nxit sidomos nga një zgjerim i shpejtë e yield-eve të bonove të thesarit të qeverisë shqiptare, që tërhoqi një rritje të fortë të investimeve direkte të individëve dhe krijoi më shumë konkurrencë për kursimet e publikut.
Kjo bëri që interesi mesatar për depozitat e reja të rritej në mënyrë të vazhdueshme deri në nivelin 1.54%, në janar të këtij viti.
Por, duket se rënia e yield-eve të bonove dhe obligacioneve në gjysmën e parë të këtij viti po reflektohet në frenimin e rritjes së normave të interesit të depozitave.
Rënia e normës së interesit për depozitat e reja në muajt e fundit ka shkaktuar edhe frenimin e rritjes së normës mesatare të interesit për depozitat gjendje.
Norma mesatare e interesit për depozitat me afat në Lekë të individëve në prill arriti në 1.76%, në rritje shumë të lehtë nga niveli 1.75% i muajit mars.
Normat e interesit për depozitat në monedhën Euro paraqiten më të luhatshme, por ngelen në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me depozitat në lekë.
Për muajin prill, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në euro arriti në 0.76%, nga 0.64% që ishte në muajin mars. Megjithatë, edhe ky tregues është poshtë nivelit maksimal prej 0.85% që u shënua në muajin janar të këtij viti.
Në rastin e Euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me lekun.
Gjithashtu, ndërmjetësimi në Euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë rinumërimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave.
Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në Euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në lekë.
Rënia e normave të interesit për depozitat e reja po sjell edhe një frenim të dukshëm në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, që ka si qëllim rritjen e normave të interesit të produkteve financiare, me qëllim nxitjen e kursimit dhe frenimin e kreditimit.
Këshilli Mbikëqyrës i BSH do të zhvillojë mbledhjen e radhës në fillim të muajit korrik dhe analistët besojnë se këtë herë një rritje e normës bazë të interesit është shumë e mundshme, duke pasur parasysh se norma aktuale prej 3% përfaqëson ende në një nivel ndjeshëm më akomodues krahasuar me Eurozonën.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/normat-e-interesit-te-depozitave-ne-leke-rane-per-te-tretin-muaj-radhazi-ne-prill/
Më të lexuarat








