Secondary Adv

Ujesjellesit rriten borxhet e energjise, kryeson ndermarrja e Durresit

Pavarësisht një plani për uljen e detyrimeve të prapambetura të energjisë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve kjo duket se nuk është arritur as në vitin 2022.

 

Situata e vështirë e ndërmarrjeve ka bërë që borxhi të rritet edhe më tej duke arritur një total prej 14 miliardë lekësh por këtu nuk përfshihen kamatat. Pjesën më të madhe të këtij borxhi e mban ujësjellësi i Durrësit që ka gati 4.93 miliardë lekë detyrime.

 

“Për periudhën deri në Dhjetor 2022, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) pas rakordimit të të dhënave me OSHEE Group Sh.a, raporton se detyrimet e akumuluara (principal pa kamata) të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve

 

rezultojnë të jenë në vlerën 14.01 miliardë Lekë kundrejt rreth 12 miliardë Lekë që ishin në fillim të vitit 2022.

 

Nga totali i detyrimeve principal pa kamata të raportuara, vetëm ndërmarrja e UK Sh.a Durrës ka 4.93 miliard Lekë detyrime të akumuluara në vite” thuhet në buxhetin faktik të qeverisë për vitin 2022.

 

Në total janë të paktën 5 ndërmarrje ujësjellës-kanalizimesh në vend që kanë detyrimet më të mëdha të energjisë në raport me borxhin total.

 

Pas Durrësit e dyta vjen Vlora me 1.44 miliardë lekë, Patosi me 860 milionë lekë, Fieri me 770 milionë lekë dhe Kavaja me 760 milionë lekë. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve është një ndër ata që shfaqin performancë më të dobët dhe që mbështetet vazhdimit nga buxheti i shtetit.

 

Për këtë arsye tashmë ka nisur një reformim ku nga 58 shoqëri do të krijohen 15 të tilla që do të rezultojnë nga bashkimet. “Akumulimi i detyrimeve të prapambetura vazhdon trendin rritës, kryesisht për shkak të performancës së ulët të shumicës së shoqërive UK Sh.a.

 

Nisur nga kjo, ka startuar aktualisht procesi i reformimit dhe riorganizimit të sektorit të Ujit, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve 2020-2030.

 

Synimi është ridimensionimi i 58 ndërmarrjeve UK aktuale, përmes rigrupimit të tyre në 15 shoqëri SKP-UK rajonale, me qëllim final menaxhimin optimal dhe rritjen e performancës së tyre financiare në zbatim të VKM nr. 302, datë 11.05.2022

 

“Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura” thuhet në dokumentin e qeverisë.

 

Gjatë 2022 ky sektor u mbështet me 360 mln lekë subvencione për të siguruar vijimin e funksionimit të tyre./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ujesjellesit-rriten-borxhet-e-energjise-rreth-1-3-e-ka-ndermarrja-e-durresit/


Më të lexuarat