Skandali Panama, parlamenti kerkon hetimin e kompanise GFI Albania
Kryetarja e Autoritetit të Konkurencës, Lindita Lati e pyetur nga deputeti socialist Erion Braçe në Komisionin e Ekonomisë mbi përfshirjen e kompanisë së markimit të karburanteve GFI Albania në skandalin e fshehjes së parave në Parajsat Fiskale, ka thënë se Autoriteti i Konkurencës nuk ka informacione të pasqyrave financiare të kompanisë GFI.
Pyetjes së kreut të Komisionit të Ekonomisë mbi transparencën e shitjes së aksioneve të kompanisë GFI Albania në vitin 2015, e cila ndryshoi kuotat e aksioneve, Lati i është përgjigjur se ligji nuk u jep mundësi që të kontrollojnë treguesit e tyre.Sipas saj, transferimi i kuotave nga kompania GFI Albania dhe ARMO mbetet problematike. Por sipas Erion Braçes, Autoriteti i Konkurencës duhet t’u paraprijë transferimeve të aksioneve, pasi kompanitë e naftës po transferojnë aksionet çdo dy vite.
Ai është shprehur në komision se edhe koncesionari i aeroportit po bëhet gati të transferojë kuotat. Për kreun e komisionit të Ekonomisë, është e papranueshme që në Shqipëri nuk dihen emrat e pronarëve të koncesionarëve. "E papranueshme që nuk dimë pronarët e kompanive koncesionare. Cili është pronari i kompanisë së markimit të karburanteve GFI Albania. Mësojmë nga jashtë që kompanitë koncesionare nuk janë të huaja, kanë pronarë shqiptarë," ka deklaruar Braçe.Braçe po ashtu e ka quajtur të turpshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese në favor të koncesiarit GFI Albania, ç'ka tregon sipas tij se gjyqësori është i korruptuar.