Secondary Adv

Ministria e Ekonomise: Operatoret greke fusin Shqiperine ne paketat turistike

Operatorët turistikë grekë nga Janina vijnë në Tiranë për bashkëpunim me kolegët shqiptarë. Dje, në Ministrinë e Ekonomisë është zhvilluar një takim i ministres Milva Ekonomi me Shoqatën e Hotelerisë dhe tur-operatorët grekë.

 

Një muaj më parë në Janinë u firmos Marrëveshja e bashkëpunimit mes Shoqatës Shqiptare të Hotelerisë dhe asaj greke.“Ministria është e gatshme për të ndihmuar të çojmë më përpara këtë kooperim të nisur”, u shpreh ministrja Ekonomi. “Ne në Shqipëri i kemi dhënë përparësi zhvillimit të turizmit duke menduar që, pasi hartuam një ligj të ri për turizmin, do të ketë shumë nevojë për ta përmirësuar dhe për ta plotësuar atë me të tjera akte rregullative që kanë të bëjnë kryesisht me standardizimin e strukturave akomoduese dhe guidave që operojnë në Shqipëri”, tha ministrja Ekonomi. Ministria përveç promovimit që po i kushton vëmendje dhe investimeve në këtë sektor, synon drejt investimeve të huaja direkte, nëpërmjet ideve që ka për zhvillimin, siç janë idetë “butik resort”, idetë e marinave, apo turizmit të aventurës.


“Për këtë kemi kërkuar që të mobilizojmë të gjithë burimet kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, duam të mobilizojmë dhe dijen që është jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e rajonit”, deklaroi ministrja Ekonomi. Shoqatat e Hotelerisë greke dhe tur-operatorët grekë shprehën dëshirën që ata kanë në lidhje me këtë bashkëpunim duke kujtuar se turizmi dypalësh vlen për 12 muajt e vitit dhe jo vetëm për sezonin veror. Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit tha se “duhet bashku të përgatisim plane të tjera dhe të përshpejtojmë bashkëpunim real, në mënyrë që rajoni, Shqipëria dhe pjesa veriore e Greqisë, të ketë mundësi të ketë paketa turistike reale dhe ky bashkëpunim të zgjerojë sezonalitetin, që është një nga problemet kryesore të rajonit”.


Më të lexuarat