Secondary Adv

25 per qind e faturave te dritave nuk paguhen ne kohe, 403 mln leke nga kamatat

Gati 25% e faturave të emetuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike u likujduan me vonesë nga abonentët.

 

Të dhënat i përkasin periudhën janar – prill të këtij viti, që janë bërë publike nga Enti Rregullator i Energjisë, sipas të cilave numri i faturave për të cilat është arkëtuar kamatvonesë është rreth 984 mijë.

 

Në total, gjatë periudhës 4-mujore u emetuan rreth 4 mln fatura me lexim konsumi, ndërkohë që si pasojë e pamundësisë për të likujduar në kohë, OSHEE ka mundur të arkëtojë para’ shtesë në buxhet.

 

Sipas të dhënave nga ERE, vlera e kamatvonesave të arkëtuara arriti në rreth 403 mln lekë.

 

Kjo vlerë ishte e konsiderueshme gjatë vitit 2022, ku sipas të dhënave zyrtare vetëm si pasojë e vonesës në pagesë u arkëtuan 1.37 mld lekë, nga rreth 4.6 mln fatura të lëshuara për klientët që OSHEE furnizon me energji elektrike.

 

Sipas kontratës që OSHEE ka nënshkruar me klientët e saj, afati i fundit për likujdimin e faturave është dita e fundit e muajit pasardhës.

 

Ndërkohë që, mospagimi i detyrimit mujor brenda afatit të përcaktuar, shoqërohet me një kamatëvonesë, që llogaritet në masën 0.1% e faturës totale, për çdo ditë vonesë.

 

Më pas, në rast se energjia e konsumuar vijon të mospaguhet, kontrata parashikon përshkallëzim të penaliteteve që shkojnë deri në ndërprerje të energjisë elektrike./Burimi: SCAN


Më të lexuarat