
ATP, si perfitojne kompensim fizik 37 mije ish-pronare
Të gjithë ish-pronarët që presin kompensimin nga Agjencia e Trajtimit të Pronave mund të marrin pjesë në ankandet që do të zhvillohen nga agjencia për shpërndarjen e fondit fizik.
26 mijë pronarët që kanë marrë një vendim për kompensim edhe 11 mijë pronarët që kanë dosjen në shqyrtim mund të plotësojnë formularët për të përfituar nga kompensimi fizik me ankand.
Pjesëmarrësit
Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar, i cili ka njohur të drejtën për kompensim, pavarësisht rendit kronolo-gjik, kanë të drejtë të marrin pjesë në ankand, nëse ata shprehin vullnetin me anë të kërkesës për të përfituar kompensim fizik nga fondi i tokës, pavarësisht rendit kronologjik. Nëse vendimi përfundimtar që aplikon për ankand nuk është i vlerësuar financiarisht, ATP-ja procedon me vlerësimin financiar të këtij vendimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij.
Sipas ATP-së, kompensimi fizik me ankand do të realizohet për pronat shtetërore, pjesë e fondit të tokës dhe për objektet shtetërore, pjesë e fondit të kompensimit fizik të miratuar, si dhe objektet shtetërore, të cilat i kanë kaluar fazat e privatizimit, por nuk ka qenë e mundur shitja e tyre. Subjektet aplikojnë duke plotësuar formularin dhe shprehin vullnetin për kompensim fizik me ankand. Në ankand mund të marrin pjesë të gjitha subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi. Në rastet kur vendimi përfundimtar i kompensimit ka vlerë më të vogël se sa vlera e pronës, objekt i ankandit, atëherë kërkesa e subjektit refuzohet.
Njoftimi
Agjencia e Trajtimit të Pronave bën njoftimin publik për kryerjen e ankandit në faqen e saj të internetit, në buletinin e njoftimeve zyrtare dhe sipas rastit, në një nga gazetat me shpërndarje në të gjithë territorin e Shqipërisë. Njoftimi do të përmbajë vendndodhjen e pronës, karakteristikat e pronës, të dhënat identifikuese të pasurisë (zonë kadastrale, numër pasurie), vlerën e pronës, afatin e dorëzimit të ofertave dhe vendin ku depozitohen ato.
Afatet dhe procedurat
Procedura që do të ndiqet në fazën e parë të ankandit do të jetë ajo me përzgjedhje të blerësve. Kandidatët (subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi) aplikojnë pranë ATP-së brenda 20 ditëve nga dita e shpalljes së ankandit. ATP-ja brenda një afati kohor prej 10 ditësh nga dita e hapjes së ofertave përcakton fituesin në mbështetje të kritereve të çmimit më të lartë të ofruar. Nëse ankandi për shitjen e pronës nuk realizohet dy herë radhazi për subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi, atëherë ATP-ja bën një ankand publik me procedurë të hapur për shitjen e kësaj prone, duke njoftuar çdo palë të interesuar për të marrë pjesë në ankand.
Sipas ligjit në fuqi, në rast se pas ankandit publik prona, objekt i ankandit, nuk tjetërsohet, atëherë ajo përdoret për kompensimin fizik të subjekteve që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi. Subjektet mund të paraqesin kërkesë sipas formularëve për t’u trajtuar me kompensim fizik. ATP-ja publikon në faqen e saj zyrtare, në buletinin e njoftimeve zyrtare dhe/ose në një nga gazetat me shpërndarje në të gjithë territorin e Shqipërisë, për një periudhë 45-ditore, informacionin për pronën që do të përdoret për kompensim fizik dhe gjatë kësaj periudhe pret kërkesa nga subjektet që disponojnë vendimpërfundimtar kompensimi. Në përfundim të afatit 45-ditor, ATP-ja brenda 30 ditëve shpall subjektin përfitues që ka aplikuar, sipas ofertës më të lartë ose në raste kur ka oferta të barabarta, prioritet do të kenë vendimet përfundimtare që janë më të vjetra.
Kompensimi fizik, dokumentet
1. Kërkesa për kompensim financiar/fizik.
2. Konfirmim nga ZVRPP-ja për gjendjen juridike të pronës, vërtetim nga gjykata nëse vendimi përfundimtar i vlerësimit të tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore.
3. Dëshmi trashëgimie, nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve.
4. Prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët.
5. Vërtetim numri llogarie.
6. Vërtetim nëse subjekti ka përfituar ose jo tokë bujqësore.
7. Dokument identifikimi.
8. Mandat pagese.
Dosjet me vendim
Subjektet e interesuara, të cilat disponojnë një vendim përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës që të përfitojnë kompensim fizik, sipas këtij kreu, duhet të paraqesin:
a) Kërkesën për kompensim fizik me pronë shtetërore, pranë ATP-së.
b) Sipas rastit, vendimin përfundimtar të ish-AKKP-së, ish-ZRKKP-së, ish-KKKP-së apo vendimin gjyqësor përkatës, që njeh të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, shoqëruar me planvendosjen e vendimit.
c) Vërtetim nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për statusin juridik të pronës që kërkohet, shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese.
ç) Vërtetimin nga bashkia se sipërfaqja e tokës, sipas studimit dhe/ose gjendjes faktike, nuk ka funksion publik.
Më të lexuarat








