Secondary Adv

Rritja e pagave, Ibrahimaj: Efekti financiar pritet te jete 22 mld leke ne 2023-2024

Ekonomia shqiptare ka një ecuri pozitive.

 

Sipas të dhënave të Instat rritja për periudhën janar-mars vlerësohet në masën 2,72 për qind. Në një dalje për mediat mbi treguesit ekonomikë, ministrja e Ekonomisë dhe Financave deklaroi se shërbimet dhe pasuritë e paluajtshme kanë pasur rolin kryesor në performancën pozitive të ekonomisë.

 

“Shërbimet dhe Pasuritë e paluajtshme kanë pasur rolin kryesor në performancën pozitive të ekonomisë. Sipas të dhënave të Instat, Aktivitetet dhe shërbimi pati një rritje me 31,84 % ndjekur nga Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme që kanë një rritje prej 11,02 %.

 

Nëse vërehen nëngrupet pesha e ndërtimit dhe tregtisë në rritjen ekonomike ka qenë më minimale gjatë tre muajve të parë të vitit përkatësisht me 4.54 % dhe 3.52%.

 

Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,04 % duke pasur një kontribut të vogël në rritjen ekonomike. Negativisht kontribuoi grupi: Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me 0,14 pikë përqindje.

 

Rritja ekonomike ishte me e lartë se Maqedonia e Veriut e se Serbia. Mesatarja e rritjes së vendeve të BE-së ishte 1%”- tha ministrja. Ministrja tha se edhe në muajt në vijim ekonomia do të ketë ecuri pozitive, ndikuar më së shumti nga sektori i turizmit.

 

“Në muajt e ardhshëm rritja ekonomike në vend parashikohet të ketë një ecuri më pozitive. Kjo si pasojë e ndikimit të sektorit të turizmit. Të dhënat e turizmit tregojnë se ka pasur një rritje me 7.2% në 5 muajt e parë të këtij viti.

 

Ka qenë me performancën më të lartë historike. Në 5 mujorin e parë numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është rritur me 42%, ose 700 mijë më shumë se vitin e kaluar. Turizmi ka filluar të jetë një dukuri e shpërndarë gjatë gjithë vitit.

 

Presim që turizmi të vijojë që të ketë një performancë pozitivë. Po ashtu efekte pozitive në ekonomi pritet të japë edhe ulja e nivelit të inflacionit. Brenda vitit të ardhshëm inflacioni parashikohet që të kthehet në objektiv.

 

Në parashikimet e qeverisë rritja ekonomike për vitin 2023 parashikohet 2.6%”. E pyetur se sa do të jetë efekti financiar i rritjes së pagave në buxhet, ministrja tha se për tetë muajt e këtij viti, prill-dhjetor 2023 do të jetë 11 miliardë lekë.

 

“Rritja e pagave në buxhet për tetë muajt, pra prill-dhjetor 2023. Efekti financiar pritet të jetë rreth 11 miliardë lekë. Edhe për vitin 2024 përllogaritet po e njëjta vlerë, 11 miliardë lekë.

 

Ndërsa nga 2025 e tutje efekti do të jetë në total 39 miliardë lekë. Diferenca e përqindjes midis administratës dhe rritjes së pagës së presidentit dhe ministrave dhe deputetëve është e madhe, 98.5% kundrejt 1.5%”.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/pagat-ibrahimaj-efekti-financiar-2023-2024-22-mld-leke/


Më të lexuarat