Rihapet tenderi per Spitallen, jepet me 1 euro, pergjysmohet siperfaqja
Rreth dy muaj pas dështimit të tenderit për zonën e lirë ekonomike të Spitallës, Qeveria duket e vendosur për të mbyllur një marrëveshje.
Më vendimin e sotëm të Qeverisë, Spitalla është rishpallur sërisht “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” dhe së shpejti pritet edhe një tender i ri, por me disa ndryshime thelbësore.Referuar vendimit të sotëm të Këshillit të Ministrave, sipërfaqja e shpallur zonë e lirë dhe që rrjedhimisht është parashikuar të jepet me koncesion është 199.7 ha, ndërsa në VKM-në e fundit kjo sipërfaqe ka qenë 501.9 ha.
Një tjetër ndryshim në vendimet e Qeverisë, është se është këtë herë Spitalla do të jepet falas, e thënë ndryshe, me çmimin simbolik 1 euro.Si më parë, periudha e funksionimit të zonës është deri në 99 vjet dhe përzgjedhja e zhvilluesit të bëhet nëpërmjet procedurës konkurruese.Një ditë pas dështimit të tenderit të fundit për Spitallën, Arben Ahmetaj, i cili mbante atëherë postin e ministrit të Ekonomisë (që shpalli edhe tenderin) tha publikisht se ai u anulua për arsye teknike dhe politike.
Ahmetaj spjegoi nga foltorja e Parlamentit se arsyet teknike kishin të bënin me mungesa në dokumentacionin e ofertave të dy kompanive që shfaqën interes. Ndërsa, arsyet politike, me akuzat e PD-së ndaj kryeministrit se një nga kompanitë që paraqiti ofertën, kishte lidhje me vllain e kreut të Qeverisë.