Percaktohen rregullat e reja per tarifat e aeroporteve
Në kohën kur pritet të hyjë në fuqi marrëveshja për heqjen e ekskluzivitetit të aeroportit “Nënë Tereza” për fluturime ndërkombëtare, Ministria e Transporteve ka nxjerrë një udhëzim që përcakton rregulla të reja për vendosjen e tarifave, në mënyrë që të shmangen edhe taksat e larta me të cilat janë përballur aktualisht qytetarët.
Udhëzimi i botuar në Fletoren Zyrtare dhe që ka marrë fuqi ligjore, prek çdo aeroport të hapur për trafik tregtar, që ndodhet në Republikën e Shqipërisë, trafiku vjetor i të cilit është mbi pesë milionë lëvizje pasagjerësh dhe kur nuk ka një të tillë, zbatohet në aeroportin me lëvizjen më të lartë të pasagjerëve në vend.
Udhëzimi i jep të drejtën në rastin konkrekt Ministrisë së Transporteve, që të marrë masa mbi entete menaxhuese të aeroporteve, që mund të përfshijnë masa të mbikëqyrjes ekonomike, si miratimin e sistemeve të tarifave dhe/ose nivelin e tyre, duke përfshirë edhe metoda tarifimi nxitëse apo rregullore për tavanin e çmimit.
Aktualisht ky institucion nuk ka asnjë kompetencë të tillë, ç’ka ka sjellë edhe tarifa të kripura aeroportuale në aeroportin e Rinasit. Megjithatë ky udhëzim nuk duhet të cënojë kontratën aktuale të koncesionit me TIA, e ndërsa do të mund të zbatohet për aeroportet e reja që priten të hapen si ai i Kukësit, apo në jug të vendit. Një tjetër risi e udhëzimit është konsultimi paraprak i kompanisë menaxhuese të aeroportit me qytetarët për vendosjen e tarifave, mbi bazën e shëbimeve dhe lehtësive që ofrohen.