Hapet aksi Orikum-Dukat, Balluku: Lehtesojme qarkullimin drejt bregdetit
Ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat, me gjatësi rreth 15 km do shkurtojë maksimalisht distancën drejt bregdetit dhe kjo do t’i japë një frymëmarrje të re turizmit të kësaj zonës.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi nga afër aksin rrugor Orikum-Dukat, ndërsa e cilësoi atë si një nga projektet rrugore më të rëndësishme, që lidh Vlorën me tunelin e Llogarasë.
Balluku tha se, “ky është një nga projektet më të rëndësishme që lidh Vlorën me tunelin e Llogarasë. Në qershor të 2024 ne do të dorëzojmë të përfunduar edhe ndërtimin e tunelin të Llogorasë që shkurton akoma më shumë rrugën në jugun e vendit.
Ndërsa aksi Orikum-Dukat, shkurton maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës”, tha Balluku.
Më tej Balluku u shpreh se, “Ne e hapim këtë rrugë për të qenë e aksesueshme sa më shumë dhe për të facilituar sa më shumë periudhën e turizmit që është më shumë i përqendruar në zonën e bregdetit të jugut.
Por ne do t’i rikthehemi punimeve për shtrimin e shtresës përfundimtare asfaltike pasi të mbarojë sezoni veror”, bëri të ditur Balluku, teksa vuri në dukje se ka përfunduar plotësisht vendosja e sinjalistikës./Burimi: abcnews.al