Vendimi: Pronaret e prekur nga ndertimet e legalizuara do kompensohen
Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara.
Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Elbasan, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 2, Gjirokastër, Kuçovë, Vlorë, Durrës, Berat dhe Sarandë.
Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 507 537 720,45 lekë, për sipërfaqen 70 173,4 m². Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, vihet në dispozicion Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.
Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Elbasan, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Kamzë-Vorë, Tiranë Rurale 2, Gjirokastër, Kuçovë, Vlorë, Durrës, Berat dhe Sarandë të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./Burimi: Oranews.al