Secondary Adv

Ndryshojne afatet per fondet ne bujqesi, lehtesohet masa e peshkimit

Fermerët që kanë aplikuar për subvencione në bujqësi por që ende nuk kanë dorëzuar fizikisht dokumentacionin që nuk gjenerohet online, do kenë afat deri më 31 korrik.

 

Fermerët që kanë aplikuar për subvencione në bujqësi përmes portalit e-Albania por që ende nuk kanë dorëzuar fizikisht dokumentacionin që nuk gjenerohet on line, do të kenë afat deri më 31 korrik për të plotësuar dosjen, sa i takon masave 1-6, që lidhen me mbështetjen direkte të fermerëve në bujqësi, blegtori dhe bletari.

 

Ministria e Bujqësisë ka ndryshuar udhëzimin aktual për administrimin e fondeve ne bujqësi, duke shtyrë afatin, për ti dhëne më shumë kohë aplikantëve.

 

Po ashtu edhe aplikantët e kualifikuar në fazën e parë, bazuar në listat e shpallura nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, duhet të dorëzojnë, brenda datës 31 korrik 2023, dokumentacionin e kërkuar.

 

Dokumentacioni konsiderohet i dorëzuar me depozitimin në Agropikë ose në zyrën qendrore të AZHBR ose i dërguar me postë. Ndërkohë një lehtësi është bërë sa i takon masës mbështetëse për rinovimin e infrastrukturës së anijes së peshkimit.

 

Tashmë nuk do të jetë me detyrim që aplikuesi të jetë pronar i anijes, pasi jepet mundësia që subjekti mund të jetë edhe posedues sipas kontratave noteriale me pronarin me afat jo më pak se 5 vite nga lidhja e kontratës me AZHBR-në.

 

Në rastin e posedimit me kontratë, aplikanti duhet të jetë i përcaktuar në lejen e peshkimit. Po ashtu edhe për këtë masë ka shtyrje afatesh me një muaj në nxjerrjen e dokumenteve të anijes.

 

Konkretisht “Referuar tavaneve të financimit, AZHBR njofton aplikantët e renditur mbi vijën e financimit dhe që do të kryejnë riparimet e anijeve në Republikën e Shqipërisë, për nxjerrjen në dokumenteve të anijes jo më vonë se 31 Gusht 2023, në mënyrë që të vijohet me realizimin e kontrollit para lidhjes së kontratës”, thuhet ne udhëzim.

 

Sa i takon shpërndarjes së kartave me naftë falas tek fermerët, përpos dorëzimit direkt nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor tek përfituesit, ato do të mund të bëhen edhe me postë, ku në këtë rast procesverbali nënshkruhet nga nëpunësi i shërbimit postar./Burimi: SCAN


Më të lexuarat