Secondary Adv

Rreziku nga oligopoli, Kuvendi thirrje AKEP per kompanite celulare

Ashtu siç ndodhi më herët me Autoritetin e Konkurrencës, edhe për AKEP, Kuvendi ka sjellë në vëmendje shtimin e vigjilencës për kompanitë celulare në vend.

 

Kjo vjen në kushtet kur tashmë në treg janë vetëm dy të tilla. “AKEP, duke patur parasysh situatën e re të krijuar, me vetëm dy operatorë të telefonisë celulare, t’i kushtojë një vëmendje të shtuar këtij tregu,

 

dhe në bashkëpunim të ngushtë dhe luajal edhe me Autoritetin e Konkurrencës të shmangin krijimin e një tregu oligolipol në vend duke bërë të mundur zhvillimin e një konkurrence të ndershme mes operatorëve në treg” thuhet në projektrezolutën për AKEP.

 

Që prej fillimit të këtij viti, Shqipëria ka dy operatorë celularë, “Vodafone” dhe “One”, ku kjo e fundit është një bashkim mes kompanive ONE dhe Albtelecom nën ombrellën e grupit hungarez 4iG.

 

Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, përgjatë vitit 2022 operatori me pjesën e tregut më të madhe përsa i përket të ardhurave rezulton të jetë Vodafone Albania me rreth 52%, i ndjekur nga One Communications me 36% dhe Albtelecom me rreth 12%, sipas të dhënave të mëparshme nga AKEP.

 

Një tjetër kërkesë ka të bëjë me sigurinë kibernetike diçka e theksuar më herët edhe nga raportet e Kontrollit të lartë të shtetit. Ndërkohë që sipas Kuvendit edhe agresioni rus mbi Ukrainë duhet të sjellë rritje të vëmendjes për pacënueshmërinë e rrjeteve të komunikimit.

 

“AKEP, duke patur parasysh situatën e krijuar pas agresionit Rus në Ukrainë të tregojë vëmendje dhe kujdes të shtuar për sa i takon integritetit dhe pacënueshmërisë së rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike (telefoni, internet) për të parandaluar, menaxhuar dhe eliminuar çdo problematikë.

 

AKEP të marrë masat e nevojshme për zbatimin e rekomandimeve të KLSH në lidhje me sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave, duke krijuar një grup pune të përhershëm për mbikëqyrjen e situatës së sigurisë kibernetike për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike

 

që direkt ose indirekt janë të lidhur me infrastruktura kritike kombëtare, si dhe të përditësojë rregulloren përkatëse për të garantuar sigurinë dhe integritetin e rrjeteve të komunikimeve” nënvizohet në projektrezolutë.

 

Sipas Kuvendit AKEP duhet të japë kontribut konkret në grupin ndërinstitucional të punës, të ngritur me urdhër të Kryeministrit, për lirimin e brezit digjital divident dy (DD2),

 

lirimi i këtij brezi për shërbimet e lëvizshme 5G, ka ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të vendit, si dhe në ofrimin e shërbimeve me shpejtësi të lartë interneti.

 

Ndërkohë që edhe sa i takon tregut postar dhe luftës ndaj piraterisë online e ngritur si shqetësim në raportin e Autoritetit të Mediave Audiovizive por edhe platformave televizive në vend janë përfshirë si rekomandime për t’u mbajtur parasysh gjatë punës së këtij viti.

 

“T’i përgjigjet në kohë sfidave që dalin para AKEP në tregun e shërbimeve postare, te cilat kanë për qëllim zbatimin e një kuadri rregullator që nxit shërbimet inovative dhe, në të njëjtën kohë,

 

stimulon konkurrencën e ndershme, me fokus kryesor përcaktimin dhe zbatimin e rregullave të konkurrueshmërisë, për të parandaluar anomalitë që rrjedhin nga abuzimi i mundshëm i tregut, si nga ana e kërkesës, ashtu edhe nga ajo e ofertës.

 

Të bashkërendojë me AMA në marrjen e masave lidhur me fenomenin e ri te piraterisë online ku vihet re një shtim i numrit të operatorëve piratë që transmetojnë nëpërmjet internetit dhe faqeve të ndryshme që ofrojnë produkte audiovizive pa autorizimin e AMA-s” thuhet në projektrezolutë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rreziku-nga-oligopoli-kuvendi-i-kerkon-akep-te-shtoje-vemendjen-ndaj-kompanive-celulare/


Më të lexuarat