Ndihma per eksportuesit, Komisioni i Ligjeve miraton aktin normativ
Komisioni i Ligjeve ka miratuar aktin normativ që parashikon shtyrjen e afatit për këstet e tatim-fitimit, për ti ardhur në ndihmë eksportuesve të prekur nga rënia e euros.
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave Vasilika Vjero gjatë prezantimit të aktit normativ deklaroi se këstet e parapagimit që do të duhet të paguajnë deri ën fund të këtij viti në total llogariten në masën e 617 milionë lekëve.
Shtyrja konsiston në tremujorin e arë të vitit të ardhshëm, kur dhe bizneset mbyllin bilancin e aktivitetit të tyre. “Lehtësimi synon shtyrjen në kohë të pagesës së tatimit mbi fitimin të vitit 2022, që paguhet në formë parapagimi në 2023, sipas pasqyrave financiare të fundit të vitit, kur bëhet dhe një rillogaritje e pagesës.
Nga pikëpamja e të ardhurave, jemi kujdesur të mos kemi efekte negative. “Në fakt këstet e parapagimit që këto subjekte do të duhet të paguajnë deri në fund të këtij viti, pra muajin Qershor, Shtator dhe Dhjetor, janë në masën 617 milion lekë.
Numri i bizneseve që do të përfitojnë nga kjo lehtësi është 387. Parashikohet vetëm shtyrje e afatit të pagesës, nuk bëhet fjalë që kjo shumë 617 milion t’ju falet, pasi subjektet s’do ta paguajnë gjatë këtij viti, por do ta paguajnë gjatë 3 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, kur dhe do të mbyllin bilancin e aktivitetit të tyre.
Janë pra 387 subjekte përfituese me një shumë totale 617 milionë lekë e cila do jetë një e ardhur e munguar gjatë këtij viti në buxhet, por që deri më tash është e kompensuar me të ardhurat që kemi marrë nga tatimit mbi fitimin, por dhe nga të ardhurat, e performanca shumë e mirë që ka administrata tatimore dhe doganore”, tha Vjero.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas një sërë konsultimesh me grupet e interesit dhe sipërmarrës në fushën e eksporteve, konkludoi me një paketë ndihme ligjore, pjesë e të cilit është dhe akti normativ i miratuar më 7-qershor në qeveri dhe u depozitua në Kuvendin e Shqipërisë më 22 qershor.
Përmes aktit normativ, qeveria parashikon që subjektet që eksportojnë mbi 70% të prodhimit të tyre, nuk do parapaguajnë këstet e tatim fitimit deri në mars të 2024-ës, dhe këtë pagesë mund ta bëjnë vetëm nëse dalin me fitim pasi të bëjnë bilancin e tyre vjetor.