Secondary Adv

Drejtoria e tatimeve leter per biznesin: Raportoni xhiron reale!

Raportoni xhiron reale ose do t’i nënshtroheni kontrollit. Ky është thelbi i një shkrese të shpërndarë nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë për subjektet tregtare që rezultojnë me rënie të xhirove, krahasuar me tremujorin e fundit 2015.

 

Ky paralajmërim ka të bëjë me një rikthim të aksionit të tatimeve në terren te tregtarët e vegjël, të cilët paraqiten si rreziku i informalitetit. Vetëm dy ditë pas shpalljes së platformës së re, bazuar në analizat e riskut, Tatimet “harrojnë” vizitat fiskale dhe kontrollet te biznesi i madh, duke nisur sërish aty ku e lanë në shtator.

 

“Në kuadër të masave për sensibilizimin e tatimpaguesit, si dhe duke vlerësuar treguesit tuaj të deklaruar për shtypjen e kuponëve tatimorë, nisur nga transmetimi i pajisjeve fiskale, rezulton se nga ana juaj është ulur ndjeshëm transmetimi i kasës krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2015!”, shkruhet në shkresën që u është drejtuar këtyre bizneseve. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e biznesit, kanë deklaruar këto ditë se ulja e xhiros ka ardhur për shkak të shitjeve më të pakta. Ulja e konsumit është pasqyruar edhe në raportet e INSTAT-it dhe të Bankës së Shqipërisë. Subjektet që konstatohen me rënie të xhirove, pra transmetojnë nga kasa më pak kuponë të regjistruar, paralajmërohen se do të kontrollohen nga administrata tatimore.

 

“Ju kujtojmë se në funksion të zbatueshmërisë së legjislacionit tatimor, nga ana e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë do të jeni në monitorim të vazhdueshëm dhe nëse konstatohet në vijimësi i njëjti fenomen, do të jeni objekt i kontrollit”, theksohet në këtë njoftim të Tatimeve. Më tej, shkresa kërkon raportim të saktë të gjendjes. “Nga ana juaj, duhet të merrni masa për deklarimin real të qarkullimit të aktivitetit tuaj, duke shtypur kupon për çdo shitje të realizuar me para në dorë”, porosit shkresa e Tatimeve. Pas ankesave të biznesit të madh në takimin me Kryeministrin dhe ministrin e Financave për biznesin e vogël që, sipas tyre, nuk po i merr faturat tatimore të mallit, vjen kjo shkresë që ka si target pikërisht sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.

 

Shoqatat e biznesit nuk kanë qenë dakord me rritjen e fashës nga pesë milionë lekë në tetë milionë lekë për bizneset subjekte të TVSH-së. Sipas organizatave të biznesit, kjo do të rrisë tentativat e kompanive për të qëndruar poshtë kësaj fashe përmes raportimit të sasive më të vogla të xhiros së aktivitetit. Ndërsa, përjashtimi i biznesit të vogël nga taksat ka sjellë përplasje me FMN-në, që kërkon eliminimin e favorizimeve të grupeve të ndryshme të sipërmarrjeve.


Më të lexuarat