
Eksportet e Kines shenojne renien me te madhe ne me shume se 3 vjet
Eksportet e Kinës, ranë muajin e kaluar, me ritmin më të shpejtë, që nga fillimi tre vjet më parë i pandemisë COVID-19.
Rimëkëmbja e Kinës pas COVID-19 është ngadalësuar, pas një rritjeje të shpejtë në tremujorin e parë, ndërsa analistët kanë ulur parashikimet për pjesën tjetër të vitit.
Dërgesat dalëse nga Kina, pësuar rënie vjetore 12.4% më poshtë se sa pritej në qershor, treguan të dhënat nga Byroja Doganore e Kinës, pas një rënie prej 7.5% në maj.
Importet u tkurrën me 6.8%, vlerë më e madhe se rënia e pritshme 4.0%, dhe se rënia e muajit të kaluar prej 4.5%.
“Rënia globale e kërkesës për mallra, do të vazhdojë të rëndojë mbi eksportet,” tha Zichun Huang, ekonomist kinez në Capital Economics, ndërsa një rënie të mëtejshme e eksporteve shihet e mundshme, deri në fund të vitit.
“Por, lajmi i mirë është se më e keqja e rënies së kërkesës së huaj, ndoshta është tashmë prapa nesh,” shtoi ajo.
Lv Daliang, zëdhënës i Administratës së Përgjithshme të Doganave, fajësoi performancën e dobët të eksportit për “një rimëkëmbje të dobët ekonomike globale, ngadalësimin e tregtisë dhe investimeve globale dhe rritjes së njëanshmërisë, proteksionizmit dhe gjeopolitikës”, në komentet në një konferencë shtypi në Pekin.
Eksportet në Shtetet e Bashkuara, destinacioni kryesor për mallrat kineze, kanë rënë më së shumti në mesin e partnerëve të saj kryesorë tregtarë, gjatë gjysmës së parë të vitit, pasi tensionet diplomatike rriten mbi teknologjinë e çipave dhe çështje të tjera, ndërsa eksportet në Rusi janë rritur ndjeshëm, megjithëse nga një nivel modest.
Me eksportet, që përbëjnë rreth një të pestën e ekonomisë dhe sektorin e trazuar të pronave, që përbëjnë rreth një të tretën, perspektivat e Kinës për një rikuperim të shpejtë janë zbehur, pasi bllokimet e lidhura me COVID goditën ekonominë në 2022.
Një sondazh i Reuters, tregoi se ekonomia e Kinës ka të ngjarë të rritet me 7.3% në tremujorin e dytë nga një vit më parë, kur bllokimet në Shangai dhe qytete të tjera të mëdha ulën prodhimin, ndërsa rritja për vitin e plotë ishte parashikuar në 5.5%.
Qeveria ka vendosur një objektiv modest të rritjes së PBB-së prej rreth 5% për këtë vit, pasi nuk arriti objektivin e vitit të kaluar.
“Eksportet e buta dhe presioni deflacionist, do të shtojnë thirrjet për stimuj, por nuk mendoj se shkalla e mbështetjes do të jetë e madhe,” tha Xu Tianchen, ekonomist i lartë në Economist Intelligence Unit.
“Kjo është për shkak të kufizimeve fiskale për qeverinë; ata duhet të marrin më shumë hua për të financuar shpenzime më të mëdha,” shtoi ai.
Presion për dhënien e stimujve financiarë
Kryeministri kinez Li Qiang, i cili mori postin e tij në mars, ka premtuar të ndërmarrë masa politike për të rritur kërkesën dhe për të gjallëruar tregjet, por pak hapa konkretë janë njoftuar dhe investitorët po humbasin durimin.
Monedha Kineze, Juan, ra kundrejt dollarit pas publikimit të të dhënave, por analistët thanë se dobësia e mëtejshme e monedhës pritej të kufizohej, pasi investitorët synonin takimin e Byrosë Politike të muajit të ardhshëm dhe çdo veprim të mundshëm mbi stimujt ekonomikë.
“Pyetja e madhe në muajt e ardhshëm, është nëse kërkesa e brendshme mund të rikthehet, pa shumë stimuj,” tha Zhiwei Zhang, kryeekonomist në Pinpoint Asset Management.
Aktiviteti i prodhimit të fabrikave në Kinë, është tkurrur muajt e fundit, ndërsa çmimet e konsumit ranë në kufijtë e deflacionit në qershor dhe çmimet e prodhimit, ranë me ritmin më të shpejtë në më shumë se shtatë vjet.
Importet kineze të gjysmëpërçuesve, ranë me 13.6% në qershor, rënie më e ngadaltë se 15.3% e një muaji më parë, por duke sinjalizuar oreks të kufizuar midis prodhuesve kinezë për komponentë, që do të eksportoheshin sërish në formën e mallrave të gatshme.
Kërkesa për lëndë të parë, gjithashtu tregoi shenja dobësie, ku importet e bakrit ranë me 16.4% në qershor, krahasuar me një vit më parë./Burimi: Reuters/Monitor https://www.monitor.al/eksportet-e-kines-shenojne-renien-me-te-madhe-ne-me-shume-se-3-vjet/
Më të lexuarat









