Rumania 4.4 mld USD investim per projektin me te madh te gazit natyror
OMV Petrom tha se kishte miratuar planin e zhvillimit për fushat e gazit natyror Domino dhe Pelican South, në bllokun Neptun Deep të Rumanisë.
Plani do t’i dorëzohet për miratim Agjencisë Kombëtare të Burimeve Minerale. Prurjet e para të gazit priten në vitin 2027 dhe prodhimi do të jetë afërsisht 8 bcm në vit, për gati 10 vjet.
Christina Verchere, shefe e kompanisë OMV Petrom, tha: “Me vendimin përfundimtar të investimit për projektin Neptun Deep, ne po hapim një kapitull të ri, që do të sjellë ndryshime rrënjësore për sektorin rumun të energjisë.
Së bashku me partnerin tonë, Romgaz, ne po hyjmë në fazën e zhvillimit të projektit të parë në det të hapur, në Rumani. Projekti do të ndihmojë në rritjen ekonomike të Rumanisë dhe do të forcojë sigurinë energjetike të vendit.
“Për të dhënë një shembull të madhësisë së projektit: prodhimi i vlerësuar i gazit natyror është mbi 30 herë më i lartë se kërkesa aktuale vjetore e 4,300,000 familjeve.
Është gjithashtu një hap i madh përpara për strategjinë tonë për vitin 2030, që synon të mbështesë tranzicionin energjetik në Rumani dhe në rajon”. OMV Petrom është operatori me 50% interes në projekt, ndërsa Romgaz është partneri i firmës në këtë projekt dhe mban po ashtu 50% interes.
Të dy lojtarët synojnë të investojnë deri në 4 miliardë euro, ose gati 4.4 miliardë dollarë, për fazën e zhvillimit të projektit, që do të shpenzohet kryesisht gjatë viteve 2024-2026,
i cili do të mundësojë që rreth 100 bcm gaz natyror të vihet në qarkullim, duke e kthyer Rumaninë në prodhuesin më të madh të gazit natyror në BE dhe një eksportues neto të gazit natyror.
Razvan Popescu, drejtor i përgjithshëm i Romgaz, tha: “Neptun Deep është një projekt strategjik për Rumaninë dhe rajonin nga këndvështrimi i sigurimit të nevojave për gaz natyror dhe nga perspektiva e dekarbonizimit.
Duke filluar nga viti 2027, do të kemi një burim të ri të gazit natyror, i cili ka potencialin të rrisë ndjeshëm prodhimin në vend. Jemi krenarë që jemi pjesë e një projekti të tillë inovativ, i cili do t’i sjellë vendit përfitime të konsiderueshme në planin afatgjatë”.