Ministria e Financave: Jo me biznese te vogla ne zonen e ish-Bllokut
Nis faza e dytë e aksionit kundër informalitetit. Ministri i Financave: Ne dimë shumë mirë se ç’ndodh. Mallrat kineze e turke të përqendrohen vetëm në Doganën e Tiranës.
Bizneset e zonës së ish-Bllokut në Tiranë do të njihen si biznes i madh, është shprehur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, gjatë një takimi në Drejtorinë e Doganave të Tiranës. Në takimin e djeshëm, ministri ka paralajmëruar fillimin e fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit në ekonomi. Ky aksion pritet të fillojë javës që vjen, dhe ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, do të përfshijë edhe kontrollin nga zyra të bizneseve në vend.
“Nesër blloku nuk njeh biznes të vogël. Janë të gjithë biznes i madh, sepse e vërteta kjo është. Dhe unë, në fund të javës, dua t’i tregoj publikut shqiptar që e dimë shumë mirë se çfarë ndodh. Është e domosdoshme që gjatë gjithë periudhës së planit, të reflektoni modesti dhe dua që t’i porosisni të gjithë punonjësit tuaj që të kenë një sjellje shembull me tatimpaguesit, pra shumë këmbëngulës, shumë profesionalë, por shumë modestë”, tha Ahmetaj.
Arsyet Ministria e Financave do të kryejë riklasifikimin e bizneseve në zonën e ish-Bllokut, duke i kthyer nga biznese të vogla në të mëdha, pasi nga analiza e riskut ka rezultuar se ato kanë fshehur xhiron. Kreu i Financave, Arben Ahmetaj, e bëri të ditur këtë masë pas prezantimit publik të fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit. Ai ndërkaq ka nisur edhe takimet me drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe të Doganave për zbatimin e planit operacional.Ahmetaj diskutoi me tatimorët për modelin e riskut në tatime, përmes të cilit, administrata do të kontrollojë biznesin nga zyra. Modeli i riskut është diskutuar edhe me administratën tatimore, ku ministri Ahmetaj kërkoi që të furnizohej me informacion sistemi, me të cilin është e pajisur dogana.
Mallrat turke e kineze, në një doganë. Ministri kërkoi gjithashtu, që kalimi i mallrave kineze dhe turke të përqendrohet vetëm në Doganën e Tiranës. Edhe për këtë masë, ai shpjegoi arsyet. “Duke ditur se çfarë bëhet me mallrat turke dhe kineze, nuk do të bëhet më as në Durrës, as në Fier, askund tjetër. Të gjitha do të vijnë këtu. Dhe kini parasysh, se ju e dini shumë më mirë se unë se këtu bëhet problematika kryesore; te mallrat turke dhe kineze. Po flas në referencë të vlerës, dhe mos harroni se monitorimin do ta keni jashtëzakonisht shumë të madh”, tha ai, duke iu drejtuar administratës doganore.Ministri bëri të ditur se për qëllime të rritjes së efikasitetit të kontrollit, hetimi financiar dhe policia doganore do të dalin jashtë territorit të doganës.