Eurostat: Shqiperia me varferine dhe pabarazine me te larte qytet-fshat
Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të lartë të popullsisë në rrezik të varfërisë në Europë.
Të dhënat në grafikun e mëposhtëm tregojnë se gati 60% e popullsisë që jeton në zonat rurale është në rrezik të varfërisë në vitin 2021 (te dhënat për Shqipërinë 2020), ky ishte niveli më i lartë në Europë.
Popullsia rurale e vendit tonë ka një përqindje të lartë të rrezikut për varfëri në raport me popullsinë rurale të vendeve të tjera. Rumania renditet e dyta për nivelin e lartë të varfërisë në fshat, ku rreth 50% e popullsisë rurale me një diferencë 10 pikë përqindje nga Shqipëria.
Eurostat vë në dukje se Shqipëria ka nivel të lartë të popullsisë në rrezik të varfërisë në qytetet e mëdha ku përfshihet edhe kryeqyteti. Në Shqipëri gati 45 për qind e popullsisë në këto rajone është në rrezik të varfërisë, niveli më i lartë në Europë.
Maqedonia, Bullgaria dhe Rumania u renditen pas Shqipërisë, ku popullsia e qyteteve të mëdha që jeton në rrezik të varfërisë është 30%. E njëjta situatë është edhe në qytet më të vogla.
Në qytetet më të vogla shqiptare varfëria është më e butë se në qytetet e mëdha dhe se në zonat rurale. Eurostat përllogarit se rreziku i varfërisë në qytetet më të vogla përfshin 29% të popullsisë.
Ky tregues është më i ulët se në fshat dhe qytetet e mëdha, po sërish është më i lartë se në qytet e tjera të Europës. Gjithashtu hendeku për rrezikun e varfërisë qytet -fshat është më e larta në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera të Europës.
Më herët këtë vit Banka Botërorë analizoi se reforma Territoriale përkeqësoi me shumë menaxhimin e zonat rurale dhe e ka vënë zhvillimin e këtyre zonave përballe sfidave të reja.
Mungesa e ofrimit të shërbimeve në zonat rurale nga njësitë e reja vendore që dolën nga reforma territoriale ka ndikuar në krijimin e pabarazive.
Ndërsa zonat urbane përfitojnë nga mbulimi relativisht më i lartë i shërbimeve publike, nga ana tjetër cilësia është e dobët dhe ka krijuar më tej kosto sociale dhe mjedisore.
Ndotja, mbipopullimi dhe planifikimi i mangët gërryejnë më tej cilësinë e jetës në zonat urbane. Mangësitë në menaxhimi i mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza po kufizon aksesin e popullatës në shërbimet e duhura të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, si dhe aksesin në ujë me cilësi të mirë.