UPT percakton kriteret dhe formulen me ane te se cilave do te pranohen studentet
Universiteti Politeknik i Tiranës ka përcak tuar kriteret dhe formulën me anë të së cilës do të pranohen studentët në vitin akademik 2016-2017. Sipas UPT-së, kriter i pranimit në të gjitha programet e studimit të ciklit të parë ose programet e integruara të ciklit të dytë në këtë universitet do të jetë mesatarja e shkollës së mesme mbi notën 6.
Ndërkohë që, modalitetet e renditjes së kandidatëve do të bazohen në mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme, llojin e shkollës së mesme të ndjekur dhe notat në lëndët specifike. Për këtë është përcaktuar një formulë, e cila përfshin tri lëndë prioritare që janë: Matematika, Fizika dhe Kimia.
Më konkretisht, kandidatët për ndjekjen e programeve të studimit të ciklit të parë dhe programeve të integruara të studimit të ciklit të dytë në UPT do të renditen sipas pikëve të grumbulluara nga llogaritja e rezultateve të shkollës së mesme sipas formulës: [ 0.7 x nota mesatare + 0.3 x (mes Matematikë + mes Fizikë+mes Kimi) / 3 ] x Koef. Shkollës. Nëse i marrim të gjithë elementet e formulës, atëherë kemi “Nota mesatare”, që është nota mesatare e të gjitha viteve të shkollës së mesme, ndërsa “koeficienti i shkollës” varion nga 1.0 në 1.4, sipas llojit të shkollës së mesme dhe programit të studimit pranë UPT-së. Për këtë arsye, UPT ka përcaktuar koeficientet e shkollave të mesme për çdo program studimi të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, të cilët “Gazeta Shqiptare” i publikon sot të plota, në tabelën bashkëngjitur shkrimit.
Për shembull, nëse i referohemi kësaj liste, për degën “Inxhinieri Mjedisi”, gjimnazi e ka koeficientin 1.4, ndërsa gjimnazi gjuhësor 1.2. Për të përfituar sa më shumë pikë, kandidatët do të duhett’i verifikojnë koeficientet, me të cilët vlerësohet shkolla e tyre e mesme, në mënyrë që të kenë më shumë shanse për t’u shpallur fitues. Ndërkaq, tre elementët e tjerë të formulës, që janë: ‘Mes Matematikë’, ‘Mes Fizikë’ dhe ‘Mes Kimi’ përbëjnë notën mesatare të këtyre lëndëve në të gjitha vitet e shkollës së mesme.
Gjithashtu, UPT sqaron se kandidatët fitues do të përcaktohen nga renditja e kandidatëve sipas kriterit të mësipërm dhe kuotat për çdo program studimi. Ndërkaq, për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, parakusht për pranimin në Universitetin Politeknik të Tiranës është dokumenti që vërteton njohjen e një nga 5 gjuhëve të huaja sipas udhëzimit Nr. 52 datë 03.12.2015 të MAS. Sipas këtij udhëzimi, për pranimin në programet e studimit të ciklit të dytë, kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj, ndërmjet nivelit B1 dhe nivelit C1.