Permiresimi urban i Ksamilit, Orikumit dhe Borshit, shpallet fituesi i tenderit
Përmirësimi i integruar urban i Ksamilit, Orikumit dhe Borshit do kryhet sipas projekteve që do hartojë kompania JV iRI & Systematica & Xaveer Geyter Architects.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se kjo është kompania fituese mes pesë prej tyre që shfaqën interes për procedurën e shpallur më herët nga ky fond ndërkohë që oferta financiare u paraqitën vetëm prej dy prej tyre.
Shërbimi që do të ofrojë kompania vjen me një ofertë rreth 1.2 milionë euro duke përjashtuar këtu Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Procedura e prokurimit “Projektime të detajuara dhe mbikëqyrje ndërtimi për përmirësimin e integruar urban të zonave turistike të Ksamilit, Orikumit dhe Borshit dhe zonave ngjitur” u njoftua vetëm pak muaj më parë nga Fondi dhe është pjesë e kredisë që ka dhënë Banka Botërore për mbështetjen e zonave turistike.
Por çfarë parashikohet në fakt sipas kërkesës së publikuar më herët për shërbimet e konsulencës? Kompania fituese tashmë e bërë publike do të ketë së pari fazën e dizejnimit dhe më pas të mbikëqyrjes.
Në fazën e parë janë gjashtë detyra:
Detyra 1: Raporti fillestar dhe plani i punës
Detyra 2: Vlerësimi i raportit të përgatitur për situatën ekzistuese – Rishikim dhe rivlerësim dhe përditësim aty ku është e nevojshme
Detyra 3: Vlerësimi i Vizionit të përgatitur zhvillimor për Ksamilin, Orikumin dhe Borshin
Detyra 4: Vlerësimi i Programit të Investimeve të identifikuara dhe propozuara për zonën e Studimit
Detyra 5: Projektimi paraprak i konceptit, udhëzimet dhe vlerësimet paraprake për projekte të përzgjedhura investimi në Ksamil, Orikum dhe Bosh
Detyra 6: Hartime të detajuara, (përfshirë BoQ-të, specifikimet teknike, raportet teknike, vlerësimet e ndikimeve në mjedis.
Konsulenti do të administrojë kontratën dhe do të mbikëqyrë punimet e ndërtimit, d.m.th të kryejë detyrat e Mbikëqyrësit në përputhje me Kushtet e Veçanta dhe të Përgjithshme për Kontratën e Punëve të projekteve të financuara nga BB.
Projekti për Integrimin Urban dhe Zhvillimin e Turizmit nisi në vitin 2017 pas një kredie të dhënë nga Banka Botërore ndërkohë që u rishikua dhe iu shtua një financim i ri në korrik të këtij viti.
Ky projekt parashikohet të mbyllet në 31 korrik 2025. Projekti në fjalë ka një total prej 105 milionë dollarësh si financim të ndarë në disa komponentë./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/permiresimi-urban-i-ksamilit-orikumit-dhe-borshit-shpallet-fituesi/