OSHEE: Nga 1 Korriku ka nisur faturimi neto per veteprodhuesit
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group) bëri me dije se faturimi neto për vetprodhuesit e energjisë ka nisur nga 1 korriku i këtij viti.
Kjo do të thotë që çdo subjekt apo individ që ka instaluar një impiant diellor për të prodhuar energji për nevojat e tij do të përfitojë nga skema e re që po aplikohet.
Sipas të dhënave të kompanisë publike në rrjetin energjetik janë të paktën 1249 klientë aplikuar me statusin vetëprodhues i energjisë nga impiante fotovoltaikë.
“Falë politikave ndihmuese dhe lehtësuese të qeverisë shqiptare përdorimi i energjisë nga burime të rinovueshme nxit kategorinë e konsumatorit familjar dhe biznesit privat të prodhojë energji për përdorim vetjak.
Çdo subjekt i lidhur në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) si konsumator familjar ose ndërmarrje e vogël mund të instalojë një fuqi maksimale deri 500kWp.
Bazuar në udhëzimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, bilanci dhe faturimi do të bëhen në bazë vjetore për secilën pikë matjeje të autorizuar nga klienti.
Bilanci neto do të reflektohet në faturën mujore të klientit. Të paktën 61% e konsumatorëve vetëprodhues të cilët kanë instaluar impiante fotovoltaike ushtrojnë aktivitet në rajonet Tiranë dhe Durrës”, nënvizon OSHEE. Kapaciteti i instaluar total nga kjo kategori është 119 MW teksa.
Ndryshimi i skemës së matjes erdhi pas kërkesës së bërë nga vetëprdhuesit gjatë viteve të fundit duke nënvizuar se bilanci mujor nuk ishte favorizues për ta duke e bërë shumë më të gjatë kohën e kthimit të investimit dhe në disa raste nuk ishte stimulues për investime të reja apo zgjerim kapaciteti.
Sjellja dhe miratimi e një ligji të ri “Për burimet e rinovueshme të energjisë” përcaktoi se tashmë nga bilanc mujor vetëprodhuesit do të kishin tashmë faturim neto vjetor.
Mënyra sesi do të aplikohet kjo matje dhe përfitimet reale pritet që të shihen në vazhdim me zbardhen e akteve nënligjore që parashikohet të shoqërojnë ligjin e ri.