Britania miraton ligjin e diskutueshem te emigracionit
Parlamenti britanik ka miratuar një ligj të diskutueshëm të imigracionit që u heq të drejtën emigrantëve që hyjnë ilegalisht në vend për të aplikuar për azil në Britani.
Ligji i miratuar nga Parlamenti Britanik është në kundërshtim me detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar ndaj ligjit ndërkombëtar në lidhje me të drejtat e njeriut dhe refugjatët, thanë në një deklaratë të përbashkët krerët e dy agjencive kompetente të Kombeve të Bashkuara, Volker Turk dhe Filippo Grandi.
Ligji shihet si vendimtar për kryeministrin Rishi Sunak, i cili e ka bërë trajtimin e imigracionit të paligjshëm një prioritet për qeverinë e tij dhe ka premtuar të ndalojë mbërritjen me anije të emigrantëve nga Kanali Anglez.
Në vitin 2022, më shumë se 45,000 migrantë arritën në brigjet angleze, një numër rekord. Më shumë se 13 mijë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe në këtë mënyrë gjatë vitit 2023.
Ligji në fjalë, i cili është denoncuar si në Britaninë e Madhe, ashtu edhe nga organizatat ndërkombëtare, parandalon emigrantët që kanë mbërritur në vend ilegalisht.
Londra nënshkroi një marrëveshje me Ruandën vitin e kaluar, por deri më tani nuk ka pasur deportime. Një fluturim i parë i planifikuar për në qershor 2022 nuk u zhvillua pas një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Qeveria britanike po kërkon gjithashtu deportimin e shpejtë të emigrantëve në paraburgim, qoftë në vendet e tyre të origjinës ose në vende të treta si Ruanda.
Në fund të qershorit, gjyqësori britanik e shpalli të paligjshëm projektligjin, por qeveria njoftoi menjëherë një apel kundër vendimit.
Projektligji i emigracionit u bllokua për muaj të tërë në parlamentin britanik dhe Dhoma e Lordëve kërkoi një sërë ndryshimesh, kryesisht kufizime kohore për ndalimin e fëmijëve, masa mbrojtëse kundër skllavërisë moderne.
Projektligji do të duhet të ratifikohet nga Mbreti Charles III. Kreu i kishës anglikane, Kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby, anëtar i Dhomës së Lordëve, është një kritik i ashpër i ligjit të imigracionit.
“Nuk e di se si” do të ndalojë varkat e emigrantëve. “Nuk kam dëgjuar asgjë që të më bindë”, tha ai gjatë debatit./Burimi: abcnews.al