Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ka miratuar projektligjin për Akademinë e Shkencave.
Pasi deputetët e PS-së miratuan ndryshimin e ligjit për Akademinë e Shkencave, deputetja demokrate Ina Zhupa deklaroi se mbledhja është bërë në shkelje të rregullores.
Ajo deklaroi se deputetët e PD nuk ishin në dijeni të mbledhjes, duke e cilësuar si një ‘puç institucional’. “Nuk ka një shkresë të protokolluar, të gjithë deputetët duhet të njoftohen nga stafi i Kuvendit, dhe mua nuk më ka njoftuar asnjë.
Nuk mund të bësh mbledhje klandestine. Kishin marrë 4 deputetë zëvendësues mosha mesatare mbi 75 vjeç, në të njëjtën linjë me ndryshimet që duan t’i bëjnë Skënder Gjinushit. Ky parlament sot ka një njollë turpi”, tha ajo.
Në përgjigje të Zhupës, ka reaguar Akademia e Shkencave, që nënvizon se dështoi bllokimi i paligjshëm i procedurës nga kryetarja e komisionit për të mos lejuar votimin.
Në një shënim në rrjetet sociale Akademia e Shkencave thekson se shumica vendos me votë dhe se nuk ka nevojë për puçe, e shton se puçet bëhen nga pakicat e dhunshme, duke shkelur parimet bazë të demokracisë.
‘Miratohet në komision vullneti i shprehur nga 53 anëtarë të Asamblesë, me vendimmarrjen e saj të datës 5 korrik 2023 dhe opinionin mbështetës të datës 7 korrik.
Dështon bllokimi i paligjshëm i procedurës nga kryetarja e komisionit për të mos lejuar votimin. Shumica vendos me votë dhe nuk ka nevojë për puçe. Puçe bëhen nga pakicat e dhunshme, duke shkelur parimet bazë të demokracisë.
Asambleja e Akademisë së Shkencave i përcakton vetë rregullat e funksionimit të saj, nëpërmjet Ligjit dhe Statutit të saj. Organet drejtuese të ASHSH i zgjedh Asambleja me votë, jo ligji.
Ndërhyrje politike është bllokimi i vullnetit të Asamblesë, jo votimi e mbështetja e tij.’- thuhet në reagimin e Akademisë së Shkencave. Në projektligjin e ri për Akademinë e Shkencave, kryetarit i lejohet një mandat i dytë dhe i hiqet kufizimi i moshës 75 vjeç./Burimi: Shqiptarja.com