
Qeveria jep 10 mije m2 per ndertimin e resortit luksoz ne Korce
Qeveria vë në dispozicion të investitorit strategjik i “Investment and Development Albania” për ndërtimin e një hoteli luksoz në Korçë.
“Prona e përmendur vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”, me subjekt investues “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C” thuhet në vendimin e djeshëm që është miratuar më 19 korrik 2023 nga Këshilli i Minsitrave dhe publikuar po dje në faqen zyrtare të saj.
Sipas databazës, opencorporate.al kjo kompani zotërohet nga biznesmenët Agim Zeqo, ish presidenti i sport klub Skwnderbeu, që është aksioneri mw i madh me 40 % të aksioneve, dhe ortakët Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi të cilët kanë respektivisht nga 30 % të aksioneve.
Më datë 01/02/2023 Komiteti i Investimeve Strategjike, me vendimin nr 29/ 4, miratoi statusin “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë”, për projektin e investimit “GREEN HOUSE KORCA RESORT” që parashikon realizimin e investimit në sektorin strategjik të turizmit.
Ky projekt do të zhvillohet nga subjekti “Investment and Development Albania” NUIS L91703053C dhe parashikon ndërtimin e një resorti, që do të ketë në përbërje një hotel me kapacitet total prej 94 (nëntëdhjetë e katër) dhomash, restorante, bare, SP.
Vlera e investimit të projektit të investimit “Green House Korça Resort” i parashikohet të jetë 18,106,741 (tetëmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtë mijë e shtatëqind e dyzet e një) Euro.
Statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar” i jepet projektit të investimit “Green House Korça Resort”, për një periudhë 4 (katër) vjeçare.
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË FONDIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE PËR VËNIEN NË DISPOZICION TË INVESTITORIT STRATEGJIK TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË ZONËN KADASTRALE NR.8561, BASHKIA KORÇË, PËR ZHVILLIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “GREEN HOUSE KORÇA RESORT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 27, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 3, të kreut II, të vendimit nr.1030, datë 16.12.2015,
të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) të pronës së paluajtshme shtetërore, në zonën kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911, të llojit “truall”,
me sipërfaqe të përgjithshme 10 000 (dhjetë mijë) m2, në pronësi “shtet”, me vendndodhje Bashkia Korçë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”, me subjekt investues “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C.
3. E drejta e përdorimit të pronës së përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, nga investitori strategjik “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C, detyrimet dhe kushtet e përdorimit bazohen në pikën 7, shkronja “c”, dhe 11, të vendimit nr.29/4, datë 1.2.2023, të Komitetit të Investimeve Strategjike.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat








