Secondary Adv

Opozita ne Kosove dergon ne Kushtetuese ligjin per pagen minimale

Ligji për Pagën Minimale është votuar të enjten e 13 korrikut, ku ka marrë 60 vota.

 

Në parim, për herë të parë, ky Ligj ishte miratuar më 14 qershor 2022. Projektligji nuk ua garanton pensionin veteranët e UÇK-së në masën e pagës minimale e që me këtë ligj të ri parashihet të jetë 264 euro.

 

Ndonëse është paraqitur si sukses nga Qeveria e Kosovës, ligji i ri që parasheh rritjen e pagës minimale në Kosovë, që u miratua të enjten në Kuvend, ka hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës në Kosovë. Ky ligj tashmë ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

 

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

 

Në një prononcim para gazetarëve, Tahiri ka thënë se në këtë kërkesë janë trajtuar tri çështje që janë të rëndësishme. “[1] Këshilli ekonomik social i cili asnjëherë nuk është konsultuar.

 

[2] Diskrimimini i palëve të cenueshme dhe [3] Lidhjet me veteranët e UÇK-së, rast ky që është eklatant dhe që lidhjet me vlerat që kjo kategori përfaqëson. I bëjë pyetje kryeministrit dhe ministrit të Financave se kush e ka sot pagën 260 euro.

 

Ky ligj që është miratuar nuk ka asnjë impakt në terren sepse sot nuk ka pagë nën 260 euro në sektorin privat dhe publik. Është mashtrim i radhës. E dyta, lidhet me dinjitetin e veteranëve, me të drejtat e njeriut për kategoritë e cenueshme”, shtoi tutje ai.

 

Kundërshtime ndaj këtij Ligji ka pasur edhe nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët të shtunën e kaluar organizuan edhe protestë.

 

Veteranët kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera në vijimin në rast se ky Ligj dekretohet nga presidentja Osmani. Por, ligji për Pagën Minimale nuk ka shkuar ende për dekretim në Presidencën e Kosovës.

 

“Ligji për Pagën Minimale nuk ka ardhur ende në Presidencë. Kuvendi i Republikës së Kosovës, zakonisht nuk i sjell ligjet në Presidencë pa kaluar 8 ditë, sepse ky është afati brenda të cilit 10 deputetë mund ta dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese”,

 

ka treguar gjatë ditës se djeshme këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina duke shtuar se janë duke u shqyrtuar të gjitha shqetësimet dhe kërkesat në përputhje me kompetencat kushtetuese.

 

Në fillim të javës, përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas takimit me presidenten Osmani thanë se do të shikojnë të gjitha rrugët ligjore që të parandalojnë hyrjen në fuqi të këtij ligji.

 

“I dini qëndrimet e OVL e UÇK. Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë të bllokojmë tutje punët e Parlamentit. I thamë çfarë kishim për t’ thënë presidentes dhe i bëmë kërkesë që mos ta nënshkruaj një ligj të tillë i cili i diskriminon veteranët e luftës.

 

Besoj që edhe në përputhje me ligjet për këto kategori ka plotë shkelje dhe ne i thamë që do t’i shfrytëzojmë të gjitha kompetencat si dhe do të bllokojmë punën e Kuvendit”, ka thënë kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari.

 

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i ka bërë thirrje presidentes Osmani që të mos ta dekretojë Ligjin për Pagën Minimale.

 

“Nuk është përfill vendimi i komisionit te grupit parlamentar për buxhet dhe financa, i cili i ka propozua Parlamentit të Kosovës, që paga minimale për vitin 2023 të jetë 450 euro, kurse për vitin 2024 të jetë 100 euro”, thuhet në njërën nga pikat e letrës dërguar Presidencës.

 

Të enjten e 13 korrikut, Ligji për Pagën Minimale morri 60 vota për e një abstenim.

 

Në parim për herë të parë ky Ligj ishte miratuar me 14 qershor 2022, por që më vonë shqyrtimi i këtij dokumenti u pezullua nën arsyetimin se po synohej konsensusi veçmas me veteranët e UÇK, që Projektligji nuk ua garanton pensionin në masën e pagës minimale e që me këtë ligj të ri parashihet të jetë 264 euro.

 

Përkatësisht, ndonëse paga minimale parashihet të rritet në 264 euro, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro, sa është paga minimale momentalisht.

 

Në Kosovë, punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro. Në sektorin publik, janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ligjin-per-pagen-minimale-dergohet-ne-gjykaten-kushtetuese/


Më të lexuarat