Secondary Adv

60 per qind e shqiptareve nuk perballojne dot 1 jave pushime, rekord ne rajon

Shqipëria është bërë si asnjëherë tjetër këtë vit mikpritëse e turistëve nga e gjithë bota, duke shënuar hyrje rekord të shtetasve të huaj, që kanë pushtuar gjithë vendin.

 

Çmimet relativisht të lira që ofron vendi në raport me shtete perëndimore, apo dhe publikimet e shumta në mediat e huaja për bukuritë e vendit kanë nxitur italianë, spanjollë, nordikë, çekë, polakë etj, krahas shtetasve të Kosovës, që kanë qenë gjithnjë “besnikë”.

 

Por, në kahun tjetër, vetë shtetasit shqiptarë e kanë të vështirë që të përballojnë pushimet. Barometri i fundit i Ballkanit, një publikim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjeti se 60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje që të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë.

 

Kjo peshë është e njëjtë me vitin e kaluar dhe mbetet më e larta në rajon, me 15 pikë përqindje mbi mesataren rajonale. Vetëm 39% e shtetasve shqiptarë janë në gjendje që të përballojnë një javë larg nga shtëpia, më e ulëta në rajon.

 

Të dytët pas Shqipërisë janë malazezët, me 50% të të anketuarve që kanë pohuar se nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime jashtë vendit. Për Maqedoninë e Veriut ky tregues është 47% dhe për Serbinë 45%

 

Shtetasit e Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve i kalojnë pushimet në Shqipëri mendojnë se janë në gjendje të përballojnë pushimet, shumë më tepër sesa shqiptarët.

 

38% e tyre kanë pohuar se nuk kanë mundësi të përballojnë pushime, ndërsa 58% e tyre mund t’i përballojnë ato. Më shumë mundësi për të përballuar pushimet në rajon janë banorët e Bosnjë Hercegovinës.

 

31% e tyre nuk kanë mundësi, ndërsa 67% deklaruan se janë në gjendje të ikin një javë për tu argëtuar. Në Shqipëri, pamundësia për të përballuar pushimet lidhet me përdorimin e parave për shërbime më të domosdoshme.

 

Psh 25% e të anketuarve thanë se kishin pasur të paktën një herë gjatë vitit të fundit vështirësi për të paguar faturat e drita dhe energji, nga 19% që është mesatarja rajonale.

 

19% kishin pasur probleme me pagesën e kësteve të kredisë; 52% kishin probleme që të mbanin shtëpinë të ngrohë (nga 24% që është mesatarja rajonale); 21% nuk kanë mundësi të përballojnë furnizimet bazë si ushqime, apo veshje (nga 17% mesatarja rajonale);

 

Për të nëntën herë radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikon rezultatet e Barometrit Ballkanik – sondazhi vjetor i realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal,

 

integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/60-e-shqiptareve-nuk-jane-ne-gjendje-te-perballojne-nje-jave-pushime-rekord-ne-rajon/


Më të lexuarat