Cmimi i energjise ne treg te lire, ne qershor shenoi nivelin me te ulet ne 2 vite
Çmimet e energjisë në tregun e lirë kanë hyrë në një fazë të re ku për herë të parë pas dy viteve arritën nivelin më të ulët që nga nisja e krizës.
Ne qershor çmimi për një kilovat/orë energji shënoi vlerën 14.22 lekë duke u bërë kështu niveli më i ulët që nga korriku 2021 kur çmimi pësoi rritje nga 10.48 në qershor në 15.34 lekë/kwh.
Nga ai moment çmimet që do të shfaqeshin në tregun e lirë do të ishin gjithmonë më të lartë madje duke u dyfishuar apo trefishuar.
Ky çmim përfaqëson atë të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit i cili furnizon subjektet e lidhur në tension 35 kv dhe që nuk kanë një furnizues privat.
Kriza e energjisë i dha sinjalet në mes të vitit 2021 por u përshkallëzua me shpejtësi në pjesën e dytë duke dhënë goditje të përgjithshme për sektorin dhe kompanitë publike por edhe bizneset në treg të lirë që në atë kohë ishin më pak se 100.
Këta të fundit të furnizuar në tension 35 kilovat kishin që nga viti 2018 në proces liberalizimi duke gjetur kështu furnizues privat dhe në rastet kur kjo ishte e pamundur duke u furnizuar nga OSHEE.
Përgjatë krizës çmimi më i lartë për këtë kategori u regjistrua në dhjetor 2021(shih foto) me një nivel 38.73 lekë/kwh ndërkohë që përgjatë gjithë vitit 2022 çmimet qëndruan mbi nivelin e 30 lekëve për kilovat/orë duke reflektuar kështu kulmin e krizës.
Në bursa kulmi i çmimeve u arrit në gusht kur 1 MW energji shënoi vlerën 1047, një nivel i paprecedent më parë ndërkohë që qeveria e cila kishte nisur procesin e daljes në treg të lirë të bizneseve në tension të mesëm, rreth 7600 subjekte u detyrua të bënte një hap pas duke i mbajtur me një çmim preferencial.
Këto të fundit vijojnë ende me këtë regjim dhe me një çmim fiks prej 18.36 lekë/kwh. Gjatë këtij viti çmimet kanë treguar sërish luhatshmëri të theksuar por tendenca të paktën nga marsi e në vazhdim ka qenë në rënie për katër muaj.
Kriza e energjisë ende cilësohet një rrezik dhe çmimet mbeten mbi mesataren e normalitetit që njihnim para nisjes së saj në vitin 2021.
Gjasat janë që gjatë verës luhatshëmria të vijojnë duke kaluar herë pas here në tendencë rritjeje sinjale të cilat po i japin tashmë zhvillimet e brendshme në sektor ku KESH ka kaluar nga shitja e energjisë në blerje të saj me një total që arritën rreth 20 milionë euro duke siguruar energji për korrikun dhe gushtin.