Secondary Adv

3.4 milione te huaj hyne ne Shqiperi ne 6 muaj, rritje me 33 per qind

Turizmi ka vijuar të mbajë trendin rritës edhe në qershor kur sipas të dhënave të Institutit të Statistikave 1 milionë të huaj hynë në territorin e vendit tonë.

 

Në total si 6 mujor hyrjet e të huajve kanë regjistruar një shifër prej rreth 3.4 milionë me një rritje me 33 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Qershor 2023, janë 1.581.731. Ky tregues rezulton me një rritje 16,3%, krahasuar me Qershor 2022.

 

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2023, janë 1.490.810, duke shënuar një rritje me 18,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në Qershor 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 574.698. Ky numër është rritur me 18,9%, krahasuar me Qershor 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.007.033.

 

Ky numër është rritur me 15,0%, krahasuar me Qershor 2022. Gjatë gjashtëmujorit të 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932.

 

Ky numër është rritur me 33,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022” vlerëson INSTAT. Operatorët turistikë pohojnë se ky është viti më i mirë turistik i Shqipërisë duke lënë pas vitin e kaluar që ishte një tjetër rekord për numrin e vizitorëve.

 

Pjesa më e madhe e turistëve i takojnë Europës dhe janë individualë ku përpos si efekt i promovimit të Shqipërisë si detinacion e përzgjedhin edhe me idenë e çmimeve më ekonomike.

 

Turizmi i organizuar kryesisht në Durrës dominohet nga polakët, çekët por edhe nordikët. Për herë të parë turizëm të organizuar në këtë rajon ka edhe nga Spanja.

 

Ndërkohë përgjatë bregdetit interes në rritje kanë pasur turistët italianë, spanjollë, anglezë me një tendencë të shifrave në rritje.

 

Sipas INSTAT në Qershor 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 954.389 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 30.082 dhe 8.971 shtetas.

 

Në Qershor 2023, krahasuar me Qershor 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur:

për qëllime personale me 14,6%;

për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 12,8%;

për biznes dhe qëllime profesionale me 59,0% 

 

Daljet e shtetasve

“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2023 janë 576.383.

 

Krahasuar me Qershor 2022, ky tregues është rritur me 15,5%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2023, janë 914.427. Krahasuar me Qershor 2022, ky tregues është rritur me 19,7%.

 

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë 2023, është 3.024.102, duke u rritur me 20,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” vlerëson INSTAT.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/turizmi-3-4-milione-te-huaj-hyne-ne-shqiperi-ne-6-muaj-rritje-33/


Më të lexuarat